Interi shfaqet spektakolar në startin e Serie A, mposht Monzën me “poker”. Esposito shënon gol me thembër

22/08/2026 20:26

Interi e nis me fitore sezonin e ri në Serie A, duke mposhtur Monzën me “poker” 4-1. Zikaltrit e mbyllën pjesën e parë në barazim 1-1, por në fraksionin e dytë dominuan dhe shënuan tre gola të tjerë.

Interi e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e 6-të. Hakan Çalhanoğlu lëshoi një goditje të fortë nga distanca, duke e dërguar topin në rrjetë.

Monza reagoi dhe në minutën e 29-të gjeti golin e barazimit. Gustavo Varela realizoi me një goditje të saktë nga brenda zonës, duke rikthyer ekuilibrin në sfidë.

Pjesa e parë u mbyll në shifrat 1-1, ndërsa pas pushimit Interi shpërtheu. Në minutën e 48-të, Piotr Zieliński riktheu avantazhin për zikaltërit, duke realizuar pas një goditjeje nga këndi.

Vetëm shtatë minuta më vonë, në të 55-tën, Francesco Pio Esposito shënoi golin e tretë për Interin, pas asistit të Andy Diouf. I riu arriti të realizojë një gol spaktakolar me thembër.

Dominimi i skuadrës së Interit u konkretizua edhe me golin e katërt në minutën e 63-të. Këtë herë ishte Yann Bisseck që realizoi me një goditje të saktë me të majtën, pas asistit të Espositos.

Interi ishte pranë edhe golit të pestë, teksa në minutën e 67-të Manuel Akanji goditi traversën me kokë pas një goditjeje këndi.

Në minutat e fundit Monza tentoi të shënonte një tjetër gol, por Interi administroi avantazhin dhe e mbylli takimin me fitoren e thellë 4-1.

Kështu, Interi e nis në mënyrën më të mirë kampionatin, ndërsa Monza largohet nga kjo përballje me një humbje të thellë në javën e parë të Serie A.

Serie A, Java 1
Inter-Monza 4-1
Çalhanoglu 6’, Zielinski 48’, Esposito 55’, Bisseck 63’

Top Channel