Bie interesi për Artet/ Aktrimi dhe artet e aplikuara më të kërkuarat, pak interes për frymorët

21/08/2026 20:30

Këtë të premte, u mbyll faza e parë e Konkurseve të Pranimit në ciklin Bachelor për vitin akademik 2026-2027 në Universitetin e Arteve

Në Fakultetin e Arteve të Bukura janë tetë programe studimi me 77 kuota gjithsej, ku vihet re një rënie e lehtë e interesit krahasuar me një vit më parë, ndërsa janë shtuar nxësit nga shkollat e mesme të përgjithshme që duan ta kthejnë pasionin për pikturën, skulpturën apo artet e aplikuara në profesion.

“Ka një problematikë të rënies së numrit të konkurrentëve, por vendi ynë ka ruajtur një normë mbi mesataren…. Kanë etje për të mësuar dhe arrijnë rezultate vit pas viti. Ka rritje të nxënësve nga shkollat e mesme që vijnë për të konkurruar. Dua t’u them që ta shohin shkollën si mundësi për t’u zhvilluar dhe jo si stacion”, tha Prof. Skënder Spahija, dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura.

Më i prefruara nga të rinjtë është Departamenti i Arteve të Aplikuara, që ofron më shumë mundësi për punësim, sipas dekanit Sadik Spahija.

“Program i grafikës, multimedia dhe tekstili, e kanë më të garantuar tregun e punës dhe këto numrin më të madh të konkurrentëve”, tha Skënder Spahija.

Violina, piano dhe kitarja janë përzgjedhjet e studentëve të muzikës, ndërkohë që janë lënë në hije instrumentet frymore, si trompa, tromboni apo oboe.

Nga 22 programe deri tani janë hapur 11 në Fakultetin e Muzikës, ndërsa decani Arben Llozi vë në dukje dhe problemin me mungesën e mësuesve të muzikës në vend.

“Tregu i punës është gati t’i thithë, por ne nuk i kemi. Aty kemi nevojë, jemi në defiçit. Nëse një student zgjedh tunxhin për shembull, e ka të sigurt vendin e punës sepse ka mungesë. Shumë shpejt, do ta ndiejmë shumë këtë mangësi”, tha Prof. Arben Llozi, dekan i Fakultetit të Muzikës.

Nga Fakulteti i Artit Skenik janë më optimistë. Aktrimi është profesion që vazhdon të lakmohet nga të rinjtë. Nga 46 kuota të vendosura për pesë programe studimi, aktrimi është më i kërkuari.

“Kishim shumë ardhje dhe jemi më mirë se sa vitin e kaluar, por do të presim konkurrime edhe në fazën e dytë nga studentë që kanë mbetur në lëndë shkencore dhe do të japin provime në vjeshtë”, tha Prof. Milto Kutali, dekan i Fakultetit të Artit Skenik.

Konkurrimi për Artet do të vijojë me dy faza të tjera, për studentët nga jashtë vendit, për nxënësit që duhet të kalojnë fillimisht lëndët e mbartura me provimet e vjeshtës dhe për nxënësit me aftësi ndryshe.

Top Channel