Fitimet e naftës rriten nga lufta në Lindjen e Mesme, gjashtë vende të BE-së kërkojnë taksë të re
Presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar Ukrainën me sulme hakmarrëse pas sulmit me dronë gjatë natës mes 21 dhe 22 gushtit, i cili goditi një qendër logjistike të kompanisë ruse të tregtisë online Ozon, në rajonin e Samaras, duke shkaktuar një zjarr dhe viktima.
Putin deklaroi se Kievi “hapi kutinë e Pandorës” duke vendosur të godasë strukturat ekonomike ruse dhe paralajmëroi se përgjigjja e Moskës do të prekë “sektorët më të ndjeshëm” të ekonomisë ukrainase, të cilën ai e përshkroi si tashmë në vështirësi të mëdha.
“Kievi hapi kutinë e Pandorës kur vendosi të sulmojë strukturat tona ekonomike. Do të ketë një përgjigje ndaj sektorëve më të ndjeshëm të ekonomisë së tij, tashmë në prag të kolapsit”, deklaroi Putin.
Kreu i Kremlinit tha gjithashtu se Rusia mbetet e gatshme për negociata, por hodhi poshtë propozimet e paqes të paraqitura nga Ukraina, duke i cilësuar ato si “ekzotike dhe të papranueshme” për Moskën.
Putin pretendoi se forcat ukrainase nuk kanë arritur ndonjë përparim vendimtar në luftë, pavarësisht sulmeve ndaj objektivave në territorin rus.
“Jemi gati të negociojmë”, tha Putin, ndërsa shtoi se ideja për mposhtjen e Rusisë brenda 40 ditësh është “një tjetër aventurë e Kievit”.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar një furnizim të ri me raketa interceptuese për Ukrainën, në një kohë kur Kievi po përballet me mungesë të sistemeve dhe municioneve të mbrojtjes ajrore përballë sulmeve ruse.
Macron tha se kishte komunikuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky pas sulmit rus ndaj një qendre tregtare në Kryvyi Rih, ku pati një numër të lartë viktimash civile.
Koalicioni i vendeve që mbështesin Ukrainën pritet të mblidhet më 24 gusht. Takimi do të bashkëdrejtohet nga Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Andy Burnham.
Sulmi ukrainas me dronë gjatë natës së 21-22 gushtit goditi një qendër logjistike të Ozon, një prej kompanive më të mëdha ruse të tregtisë elektronike.
Sipas autoriteteve ruse, mbi 500 punonjës u evakuuan brenda pak minutash, ndërsa sulmi shkaktoi viktima dhe të plagosur.
Në të njëjtën natë, sulmet ruse vazhduan në territorin ukrainas. Në Kiev, autoritetet raportuan të vrarë dhe të plagosur, ndërsa u regjistrua edhe një zjarr në një magazinë pas alarmit për sulme me raketa.
Në Zaporizhzhia, një sulm me dron rus shkaktoi vdekjen e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve.
Sulmet vijnë pas bombardimeve ruse të së premtes në Ukrainë, ku sipas autoriteteve ukrainase u vranë të paktën 20 persona, përfshirë 16 njerëz në një sulm me dron ndaj një qendre tregtare në Kryvyi Rih.
Top Channel