Është ndarë nga jeta këtë të enjte aktorja e njohur shqiptare Rezana Çeliku.

Ajo ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare, ndërsa nesër familjarët, miqtë dhe dashamirësit do t’i japin lamtumirën e fundit.

Ndër rolet e saj më të spikatura ishin në filmat “Ata ishin katër”, “Shokë të një skuadre” apo “Një djalë dhe një vajzë”, ku interpretoi rolin e një centralisteje.

Çeliku u përfshi në botën e filmit dhe spektaklit krejt rastësisht. Edhe pse nuk kishte formim profesional si aktore, ajo tërhoqi vëmendjen e regjisorëve për pamjen simpatike, natyrshmërinë dhe elokuencën. Më herët kishte prezantuar disa festivale rinore në Televizionin Shqiptar.

Në kinematografi, Rezana Çeliku interpretoi në disa prej filmave të njohur të asaj periudhe. Ndër rolet e saj më të spikatura ishte ai i partizanes në filmin “Ata ishin katër”, me regji të Kujtim Çashkut, si dhe roli i mësueses në filmin “Shokë të një skuadre”.

Në vitin 1989, ajo u shfaq në filmin “Një djalë dhe një vajzë”, ku interpretoi rolin e një centralisteje. Personazhi i saj, që përfshihej në një lidhje me një djalë më të ri në moshë, u konsiderua për kohën një rol i guximshëm dhe ngjalli diskutime. Ky ishte edhe interpretimi i fundit i Rezana Çelikut në kinematografi.

Pas largimit nga aktrimi dhe nga puna si mësuese në fshatrat e Tiranës, Çeliku u diplomua në Ekonomi dhe Juridik dhe vijoi karrierën në administratën publike. Për vite me radhë ajo punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë e Tiranës.

Në një intervistë të vitit 2011 për “Unë Gruaja” të gazetës “Panorama”, Rezana Çeliku kishte folur edhe për jetën e saj personale.

Ajo kishte treguar se kishte qëndruar e pamartuar dhe se pengu më i madh i jetës së saj kishte qenë mungesa e një fëmije, të cilin e konsideronte si thelbin e vërtetë të një familjeje.

Me ndarjen e saj nga jeta, arti dhe televizioni shqiptar humbin një tjetër figurë të veçantë të një brezi që la gjurmë në ekran dhe në kujtesën e publikut.

 

 

Top Channel