Tottenham katastrofik, Brentford i jep leksion futbolli skuadrës londineze
Futbolli shqiptar po zbulon një burim të ri dhe gjithnjë e më të rëndësishëm të ardhurash: shitjen e futbollistëve në tregjet europiane.
Përtej parave nga UEFA, sponsorizimeve apo të ardhurave të tjera tradicionale, klubet e Superiores po ndërtojnë një model të ri: zbulojnë, zhvillojnë dhe më pas shesin talentin. Dhe shifrat e viteve të fundit tregojnë se ky nuk është më një fenomen sporadik.
Sipas të dhënave të mbledhura nga raportet e FIFA-s dhe burimet e tregut të transferimeve, të ardhurat nga shitjet e lojtarëve janë rritur ndjeshëm. Në vitin 2023 ato llogariten rreth 465 mijë dollarë, ndërsa në 2024 kaluan 2.47 milionë dollarë. Në vitin 2025 rekordi u thye sërish, me rreth 2.77 milionë dollarë.

Në total, për periudhën 2021-2025, të ardhurat nga shitjet arrijnë rreth 6.85 milionë dollarë, ndërsa shpenzimet për blerje ishin vetëm rreth 485 mijë dollarë. Kjo do të thotë një bilanc pozitiv prej më shumë se 6.3 milionë dollarësh. Pra, një kampionat që për vite me radhë është parë kryesisht si importues lojtarësh, po fillon të funksionojë edhe si treg eksporti.
Partizani, Dinamo dhe Egnatia në krye
Pas shifrave të përgjithshme fshihet një tjetër histori interesante: paratë nuk janë shpërndarë në mënyrë të barabartë mes klubeve. Partizani është klubi që kryeson në këtë periudhë, i ndihmuar veçanërisht nga transferimi rekord i Xhuliano Skukës te Metz për rreth 1.4 milionë euro dhe një seri shitjesh të tjera të rëndësishme. Vetëm në sezonin 2024/25, Transfermarkt regjistron €1.6 milionë të ardhura nga largimet e Partizanit, me Arinaldo Rrapajn (€550 mijë), Maguette Gueye (€500 mijë), Tedi Caran (€200 mijë), Christian Mban (€200 mijë) dhe Andi Hadrojn (€150 mijë) ndër shitjet kryesore.

Pas tij vjen Dinamo City, e cila ka shpërthyer veçanërisht në dy sezonet e fundit. Vetëm në 2025/26, klubi ka regjistruar rreth 1.7 milionë euro të ardhura nga transferimet: Baton Zabërgja te Metalist 1925 për €800 mijë, Peter Itodo për €700 mijë dhe Karamba Gassama për €200 mijë.
Por vala e shitjeve nuk u ndal këtu. Në gusht 2026, Dinamo transferoi edhe 19-vjeçarin Mustapha Koma te Jong Genk, në një marrëveshje që databazat e transferimeve e vlerësojnë rreth €700 mijë. Në këtë mënyrë, Dinamo është afruar ndjeshëm me Partizanin dhe po shndërrohet në një nga klubet shqiptare që po e përdor më qartë modelin zhvillim talenti → ekspozim → shitje në Europë.
Egnatia, tashmë në podium
Në vendin e tretë shfaqet Egnatia, një klub që ka shndërruar suksesin sportiv të viteve të fundit edhe në vlerë ekonomike. Në sezonin 2024/25, Egnatia realizoi rreth 710 mijë euro nga largimet, kryesisht nga Alen Sherri te Cagliari (€360 mijë) dhe Melih İbrahimoğlu te Konyaspor (€350 mijë). Një sezon më pas, klubi arkëtoi rreth 620 mijë euro, me Serxho Ujkën te Zulte Waregem për €300 mijë dhe Regi Lushkjan te Tractor për €250 mijë ndër transferimet kryesore. Në totalin e periudhës së analizuar, Egnatia llogaritet rreth 1.3–1.6 milionë euro nga shitjet, duke u pozicionuar pas Partizanit dhe Dinamos.
Kush ka përfituar më shumë?
Duke mbledhur transferimet e njohura dhe duke përdorur shifrat e raportuara nga Transfermarkt dhe mediat shqiptare, klasifikimi i përafërt për periudhën 2023 – gusht 2026 është:

Shifrat janë të përafërta, pasi klubet shqiptare nuk publikojnë gjithmonë vlerën reale të marrëveshjeve, ndërsa disa transferime përfshijnë përqindje të kartonit, bonuse apo klauzola rishitjeje.
Kështu, Partizani mbetet lideri i periudhës së marrë në analizë, por Dinamo City është klubi që ka bërë hapin më të madh në kohët e fundit. Egnatia, ndërkohë, po konsolidohet si modeli i tretë i suksesshëm. Kategoria Superiore nuk është më vetëm një kampionat ku lojtarët vijnë për të luajtur. Gjithnjë e më shumë ajo po bëhet një stacion tranziti drejt Europës. Klubi që arrin të zbulojë një lojtar të ri, ta zhvillojë, ta ekspozojë në Europë dhe ta shesë për disa qindra mijëra apo edhe miliona euro, nuk fiton vetëm një ndeshje apo një trofe, fiton një aset. Dhe pikërisht këtu mund të jetë e ardhmja ekonomike e futbollit shqiptar deri në pritje të ligjit të sponsorizimit, që mund të afrojë edhe më shumë bizneset me sportin.
Top Channel