Kinema dhe Inteligjencë artificiale, regjisori Taulant Skëndaj sjell tri premiera dhe eksperimenton

21/08/2026 14:56

Këngëtarja Elena është nënë e një fëmije, e cila përballet me probleme, që e detyrojnë të përfshihet në një rrjet narkotrafikantësh.

Filmi me metrazh të shkurtër i regjisorit Taulant Skëndaj eksploron anën e errët të qenies njerëzore dhe brutalitetin e botës kriminale e drogës. Deri ku mund të na çojë ambicia dhe ego për pushtet dhe para? Këtë pyetje ngre “Elena” dhe dy filma të tjerë, po me metrazh të shkurtër, që Skëndaj i shfaqi premierë mbrëmjen e kaluar për publikun kryeqytetas në Kinema Agimi.

Fokusi i regjisorit është audienca e të rinjve, te të cilët do të përcjellë mesazhe sensibilizuese.

“Të rinjtë kanë nevojë për mesazhe sensibilizuese, për mesazhe kur tregohet sa larg mund të shkojë psikika njerëzore dhe sa e errët është ajo. Njeriu është një qenie enigmë dhe unë dua t’u tregoj këtyre të rinjve, është e lehtë të futesh në një botë të errët, por duhet ta duan jetën pa u përfshirë në këtë botë”, tha regjisori Taulant Skëndaj.

Duke bashkuar poezinë, kinemanë, muzikën dhe inteligjencën artificiale, regjisori mbushi sallën e Kinemasë Agimi me imazhe që më parë vetëm i kishte imagjinuar. Skëndaj ka eksperimentuar me Inteligjencën Artificiale për të përshkruar gjuhën e shpirtit me imazhe kinematografike. Nëse përdoret si duhet, AI mund të ndihmojë kineastët në realizimin e ideve të tyre, thotë Skëndaj.

“Ajo është thjesht një vegël, unë jam krijuesi që e vë atë në punë. Me AI mund të krijohen skena massive, por duhet ditur ta përdorësh në mënyrën e duhur”, tha regjisori Taulant Skëndaj.

Poezitë e Skëndajt frymëzohen nga përvoja dhe jeta personale, pasi kështu, sipas tij, arti është i vërtetë dhe ndikon më shumë.

Top Channel