Pezullimi i vizave për 75 vende/ Gjykata amerikane rrëzon vendimin e presidentit Trump, mes shteteve të prekura është edhe Shqipëria

22/08/2026 19:17

Një gjykatë federale në SHBA ka rrëzuar politikën e administratës së Presidentit Donald Trump që pezullonte lëshimin e vizave imigruese për aplikantë nga 75 vende, mes tyre edhe Shqipëria.

Gjykatësja Jeannette Vargas, e Gjykatës së Distriktit Jugor të Nju Jorkut, e cilësoi politikën “qartazi të paligjshme”, duke argumentuar se ajo tejkalonte kompetencat ligjore të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio.

Sipas vendimit, politika binte ndesh me ligjin federal të emigracionit, i cili kufizon autoritetin e Sekretarit të Shtetit mbi vendimmarrjen e zyrtarëve konsullorë për vizat imigruese.

“Politika, e cila ndalon në mënyrë kategorike lëshimin e vizave imigruese bazuar në shtetësinë e aplikantit, përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të këtij kuadri ligjor”, shkroi gjykatësja Vargas në vendimin e saj.

Vendimi erdhi pas një padie të ngritur nga organizata për të drejtat e emigrantëve Catholic Legal Immigration Netëork dhe African Communities Together, së bashku me aplikantë për viza imigruese dhe shtetas amerikanë që sponsorizonin familjarë nga vendet e prekura.

Shqipëria mes 75 vendeve

Pezullimi, i vendosur në fuqi në janar të këtij viti, përfshinte qytetarë nga Shqipëria dhe Bosnja, si dhe vende të tjera të Amerikës Latine, Azisë Jugore, Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Karaibeve.

Departamenti amerikan i Shtetit e kishte justifikuar masën me argumentin se aplikantët nga këto vende paraqisnin “rrezik të lartë” për t’u bërë barrë financiare për qeverinë amerikane dhe për të përdorur burime publike lokale, shtetërore dhe federale.

Administrata Trump ka ndërmarrë një sërë masash të ashpra ndaj emigracionit gjatë këtij viti, duke i argumentuar ato me nevojën për forcimin e sigurisë së brendshme.

Ndërkohë, organizatat për të drejtat e emigrantëve kanë kundërshtuar politikat e administratës, duke ngritur shqetësime për shkelje të të drejtave kushtetuese, përfshirë procesin e rregullt ligjor dhe diskriminimin. Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka komentuar ende vendimin e gjykatës.

Top Channel