Në një futboll ku talentet zakonisht presin vite për të trokitur në derën e ekipit të parë, Loen Liçka po bën një rrugëtim ndryshe.

Vetëm 14 vjeç, por tashmë ka marrë mundësinë të stërvitet dhe të debutojë me ekipin e parë të Lushnjës. Një hap i jashtëzakonshëm për një futbollist që e ka nisur aventurën me topin që në moshën 5-vjeçare, pikërisht në akademinë e Lushnjës. Nëntë vite më vonë, djali që nisi të ëndërronte mes fëmijëve të akademisë ka përballë vetes futbollin profesionist.

Loen Liçka nuk është një emër i panjohur për specialistët e futbollit të moshave. Përkundrazi, sezonin e fundit ai ka qenë golashënuesi më i mirë i kampionatit Elitë U14, duke realizuar plot 36 gola. Një shifër që tregon më shumë se çdo fjalë për instinktin e tij para portës. Paraqitjet e tij kanë bërë që talenti i Lushnjës të marrë edhe ftesën e Kombëtares shqiptare U15, ku tashmë përfaqëson kuqezinjtë në këtë grupmoshë. Por tani sfida është krejt tjetër.

Në moshën 14-vjeçare, Liçka ka nisur të prekë futbollin e të rriturve, duke marrë besimin për të qenë pjesë e ekipit të parë të Lushnjës. Një eksperiencë që mund të jetë vetëm fillimi i një historie shumë më të gjatë. Nga 5 vjeç në akademinë e klubit, te 36 gola në kampionatin U14, Kombëtarja U15 dhe tani dera e ekipit të parë. Një rrugëtim që tregon se talenti nuk ka moshë.

Loen Liçka është ende vetëm 14 vjeç. Ka shumë për të mësuar dhe një rrugë të gjatë përpara, por tashmë ka bërë atë që shumë futbollistë të moshës së tij vetëm e ëndërrojnë: ka veshur fanellën e ekipit të parë të qytetit të tij. Dhe Lushnja duket se ka një tjetër diamant për të rritur.

Top Channel