Kush po i mban peng 10 talentet e futbollit? Shtetësia shqiptare bëhet pengesë për kuqezinjtë
Dinamo vazhdon të investojë te talentet dhe tashmë po korr edhe frytet e kësaj strategjie. Koman është transferimi i radhës që sjell një shifër të jashtëzakonshme për futbollin shqiptar.
19 vjeç dhe tashmë një transferim prej 800 mijë eurosh. Koman largohet nga Dinamo dhe transferohet në futbollin belg, në një marrëveshje që i sjell klubit kryeqytetas një shumë të konsiderueshme, por jo vetëm. Sipas detajeve të marrëveshjes, Dinamo përfiton 800 mijë euro nga transferimi, ndërsa ka siguruar edhe 10 për qind të shumës së një shitjeje të ardhshme.
Pra, nëse Koman do të transferohet sërish nga klubi belg për një shumë të konsiderueshme, Dinamo do të përfitojë edhe nga lëvizja e ardhshme e talentit. Një formulë që tregon se klubet shqiptare po tentojnë të mos përfitojnë vetëm nga shitja e parë, por të ruajnë edhe një interes financiar në zhvillimin e mëtejshëm të futbollistit.
Me 800 mijë euro, Koman bëhet shitja më e madhe e regjistruar për një futbollist shqiptar 19-vjeçar, duke kaluar edhe transferimin e Simon Simonit, i cili u largua nga Dinamo për rreth 600 mijë euro drejt Eintracht Frankfurtit. Kjo është një tjetër dëshmi se klubet shqiptare po arrijnë të marrin shifra gjithnjë e më të larta për lojtarët e rinj. Dhe në këtë drejtim, Dinamo po krijon një profil të veçantë në treg.
Vetëm vitin e kaluar, klubi kryeqytetas realizoi edhe dy shitje të tjera të rëndësishme.Zabërgja dhe Mandela u transferuan në Ukrainë për një shumë totale prej rreth 2 milionë eurosh, ndërsa Karamba u shit te Gaziantep në Superligën turke për rreth 400 mijë euro. Tani vjen edhe Koman me 800 mijë euro, duke e çuar Dinamon në një tjetër nivel sa i përket menaxhimit dhe shitjes së talenteve. Pas Zabërgjës dhe Mandelës, e më pas Karambës, Dinamo po kthehet në një klub që vendos standardin e ri të shitjeve të lojtarëve të rinj në futbollin shqiptar.
Dhe detaji më interesant i marrëveshjes me Komanin është pikërisht 10-përqindëshi i rishitjes. Dinamo nuk ka mbyllur thjesht një transferim prej 800 mijë eurosh. Ka siguruar edhe një mundësi për të fituar sërish nëse 19-vjeçari shpërthen në Belgjikë dhe transferohet më tej. 800 mijë euro sot. 10% nesër. Dhe një tjetër talent që Dinamo e shet përtej kufijve të futbollit shqiptar.
Top Channel