Një tjetër stuhi ka shpërthyer rreth presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.

UEFA po shqyrton mundësinë e nisjes së një hetimi mbi sjelljen e Infantino-s gjatë gjithë periudhës 16-vjeçare të lidhjes së tij me organizatën, pas zbulimeve se një ish-punonjëse, me të cilën ai dyshohet se kishte një marrëdhënie, ka përfituar një pagesë të konsiderueshme largimi nga UEFA. Sipas raportimeve të The Telegraph, drejtuesit e UEFA-s duan të zbardhin mënyrën se si u kryen pagesat dhe nëse marrëdhënia e pretenduar ka ndikuar në vendimet e marra nga stafi gjatë kohës kur Infantino ishte sekretar i përgjithshëm i UEFA-s.

Në qendër të vëmendjes është një pagesë largimi në vlerë gjashtëshifrore për ish-punonjësen, ndërsa UEFA ka konfirmuar se pagesa është bërë dhe ka argumentuar se ajo ishte në përputhje me rregulloret e punonjësve që ishin në fuqi në atë periudhë. Organizata ka theksuar gjithashtu se rregullat janë forcuar më pas.

Raportimet ngrenë pikëpyetje jo vetëm për pagesën, por edhe për mënyrën se si është menaxhuar e gjithë situata gjatë viteve kur Infantino ishte pjesë e drejtimit të UEFA-s. Nga ana tjetër, Infantino i ka mohuar kategorikisht akuzat. FIFA ka deklaruar se pretendimet janë të pavërteta dhe shpifëse, ndërsa thekson se nuk ka pasur ankesa zyrtare lidhur me sjelljen e tij.

Çështja vjen në një moment tejet delikat për Infantino-n, i cili ndodhet nën presion të madh edhe për shkak të përplasjes së fundit me UEFA-n rreth planeve për përfshirjen e investitorëve privatë në të drejtat komerciale të Botërorit. Tashmë, vëmendja është përqendruar te UEFA dhe pyetja është nëse organizata do të kalojë nga shqyrtimi fillestar në një hetim të plotë mbi veprimtarinë e Infantino-s gjatë viteve të tij në institucion.

Top Channel