Duke nisur nga sezoni i ri, në kampionatin shqiptar të futbollit, do të hyjë në fuqi rregulli i ri i vendosur nga Federata Shqiptare e Futbollit për aktivizimin e rregullt të futbollistëve të rinj.

Një rregull ky që ka gjetur përkrahjen e trajnerit të Kombëtares U19, Fatjon Tafaj i cili në një prononcim për kanalet zyrtare të fshf e konsideroi këtë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e  lojtarëve të rinj dhe të futbollit shqiptar në tërësi.

‘Kjo është një nismë e menduar prej kohësh, në bashkëpunim me klubet, që do të sjellë zhvillimin e futbollit për futbollistët e rinj. Ky rregull do t’i ndihmojë lojtarët e rinj të fitojnë minuta, eksperiencë, t’u jepet mundësia të tregojnë talentin e tyre. Sigurisht që kjo ka benefite si për klubin, ashtu edhe për lojtarin-tha Tafaj-Benefitet për lojtarin do të jenë përballjet në ekipin e parë, me ritëm më të lartë loje. Do të kenë një përgatitje më të lartë fizike, teknike e taktike, do të fitojnë më shumë eksperiencë dhe vetëbesim.Ndërsa për klubin do të jetë ulja e kostove në periudhën e transferimeve, pra kjo është diçka për të ardhmen e klubit. Janë lojtarët që do të afrohen në ekipin e parë dhe kjo do të jetë shumë e mirë dhe pozitive për klubin’.

Sipas Tafaj një nismë e tillë do të sjellë edhe rritje të vlerës së kartonit dhe të të ardhurave në një periudhë më afatgjatë dhe njëkohësisht do të ndihmojë edhe trajnerët e ekipeve kombëtare.

‘Rritja e vlerës së kartonit të lojtarëve dhe të ardhurat, në një të ardhme më afatgjatë, do të jenë më të mira për klubin. Në vetvete, kjo rrit edhe konkurrencën ndërmjet lojtarëve dhe, nga ana tjetër, lojtarët e akademisë do të kenë një motivim më shumë për të qenë pjesë e ekipit të parë-vijoi Tafaj-Ky rregull na jep më shumë mundësi edhe ne, si trajnerë të ekipeve kombëtare, që t’i ndjekim lojtarët më nga afër, pra të kemi mundësi përzgjedhjeje për lojtarët që kanë minuta në ndeshje. Kjo është diçka pozitive për ne, sepse edhe në rast se do të kemi mungesa lojtarësh për arsye dëmtimesh, do të kemi më shumë mundësi për të përzgjedhur lojtarë specifikisht për pozicione të ndryshme’.

Top Channel