Do të jetë Dinamo ajo që do të përballet me Egnatian në finalen e Kupës së Shqipërisë në 13 maj. Skuadra e Ilir Dajës, fituese e këtij kompeticioni edhe sezonin e kaluar eliminoi në gjysmëfinale Vllazninë në Loro Boriçi duke e mundur me rezultatin 1-0 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, ndërkohë që e para kishte përfunduar 1-1.

Sinjalin e parë në këtë ndeshje e dha Kevin Dodaj që në minutën e 4-t me një gjuajtje të fortë që nuk gjen portën e Teqjas. Më pas ishte Balaj që kishte një mundësi por nuk mundi të koordinohej për të gjuajtur në drejtim të portës dinamovite. Në minutën e 26, ishte Dinamo që krijoi një mundësi me Vilan që gjeti Bregun me këtë të fundit që u ndal nga Jukaj. Pavarësisht nga përpjekjet e bëra, pjesa e parë u mbyll me barazimin 0-0.

Pjesa e dytë nisi me një rast të Dinamos me një goditje dënimi, ndërsa Vllaznia u përgjigj me Malën që u ndal nga Teqja dhe Balaj gjuajtja e të cilit nuk gjeti portën e kryeqytetasve. Në minutën e 75 Dinamo i shtangu të gjithë në ‘Loro Boriçi’ teksa shënoi golin e avantazhit 1-0 me Dejvi Bregun që bëri një galopim të gjatë dhe pasi dribloi edhe Jagon e dërgoi topin në rrjetë.

Në minutat e mbetura gjërat nuk ndryshuan dhe sfida u mbyll me rezultatin 1-0 me Dinamon që për të dytin vit radhazi do të luajë në aktin final të Kupës së Shqipërisë, ndërsa tani Vllaznia do të jetë totalisht e fokusuar te kampionati.

Top Channel