Prapaskenat e bujshme në Itali/ Roma i prenotoi avionin, mesfushori turk “tradhton” verdhekuqtë dhe firmos për Juventusin

17/07/2026 16:31

Një nga telenovelat më të bujshme të merkatos në Itali ka marrë një kthesë të papritur.

Zeki Celik nuk do të vazhdojë karrierën te Roma, pavarësisht se klubi kryeqytetas ishte i bindur se marrëveshja për rinovimin ishte vetëm çështje formaliteti.

Në vend të kësaj, mbrojtësi turk ka firmosur me Juventusin si lojtar i lirë, në një operacion të realizuar në fshehtësi të plotë.

Sipas mediave italiane, Roma kishte arritur një marrëveshje verbale me Celikun dhe priste mbërritjen e tij në Trigoria për të hedhur firmën mbi kontratën e re. Madje, drejtuesit verdhekuq kishin rezervuar edhe biletën e avionit për në Romë, duke besuar se gjithçka ishte mbyllur.

Megjithatë, ndërsa në Trigoria prisnin lojtarin, Celik ndodhej në Torino, ku kreu vizitat mjekësore në fshehtësi në J Medical dhe më pas firmosi kontratë trevjeçare me Juventusin. Sipas raportimeve, mbrojtësi 29-vjeçar do të përfitojë rreth 4 milionë euro në sezon, përfshirë bonuset, ndërsa bardhezinjtë paguan edhe rreth 1 milion euro komisione për agjentët.

Gasperini e donte me çdo kusht

Kalimi i Celikut te Juventusi ka shkaktuar zhgënjim të madh në kampin romanist, veçanërisht te trajneri Gian Piero Gasperini. Tekniku kishte kërkuar personalisht që mbrojtësi turk të qëndronte, duke e konsideruar një element të rëndësishëm për shkak të fleksibilitetit të tij.

Sezonin e kaluar, Celik u aktivizua në disa role: si mbrojtës krahu, si pjesë e treshes në prapavijë, por edhe si mbrojtës i djathtë apo i majtë, duke qenë një nga lojtarët më të besueshëm për Gasperinin.

Massara “godet” ish-klubin

Në Itali kjo lëvizje shihet edhe si një fitore personale e Frederic Massarës, tashmë drejtues i Juventusit. Pikërisht ai kishte nisur më herët negociatat për rinovimin e Celikut kur ishte drejtor sportiv i Romës, përpara se të largohej nga klubi.

Pasi u transferua në Torino, Massara shfrytëzoi faktin që kontrata e turkut kishte skaduar më 30 qershor dhe e bindi të firmoste me Juventusin, duke i shkaktuar një goditje të rëndë ish-klubit të tij.

Në Trigoria nuk është pritur mirë as sjellja e përfaqësuesve të lojtarit. Drejtuesit e Romës besonin se marrëveshja ishte arritur, ndërsa edhe vetë Celik kishte dhënë fjalën se do të vazhdonte bashkëpunimin me Gasperinin. Megjithatë, dokumentet e kontratës nuk u kthyen kurrë të firmosura.

Roma uli kërkesat financiare

Fillimisht, Celik kishte kërkuar një kontratë me pagë rreth 3.8 milionë euro në sezon, shifër që ish-drejtori sportiv Massara nuk ishte i gatshëm ta pranonte për të mos krijuar pabarazi në dhomat e zhveshjes.

Më pas, drejtori i ri sportiv Tony D’Amico rifilloi negociatat dhe arriti një marrëveshje mbi bazën e 3-3.1 milionë eurove në sezon plus bonuse. Dokumentet iu dërguan agjentëve të futbollistit, por nuk u kthyen më të firmosura, pasi ndërkohë Celik kishte zgjedhur Juventusin.

Lamtumira për tifozët e Romës

Pas zyrtarizimit të transferimit, mbrojtësi turk publikoi një mesazh lamtumire për tifozët e Romës.

“Po largohem nga kjo familje e madhe me emocione që është e vështirë t’i përshkruaj. Ishte një nder i madh të vishja fanellën e Romës dhe të luftoja për këto ngjyra. Do të mbaj gjithmonë me vete krenarinë që kontribuova në kualifikimin për në Champions League. Falënderoj José Mourinhon që më dha mundësinë të vija te Roma, si edhe Gasperinin për besimin, sinqeritetin dhe respektin. Tani është koha të nis një kapitull të ri në karrierën time.”

Megjithatë, një pjesë e tifozëve romanistë nuk e pritën mirë vendimin e tij, duke e cilësuar transferimin te Juventusi si një “tradhti”, sidomos pasi Roma ishte e bindur se rinovimi ishte i mbyllur dhe madje i kishte prerotuar edhe fluturimin drejt kryeqytetit italian për firmën.

Top Channel