“Unë kam një plan”/ U zgjodh në krye të Partisë Laburiste, fjalimi i parë i Andy Burnham: Do rikthejmë shpresën për qytetarët, do japim rezultate

17/07/2026 14:17

Andy Burnham e përmbylli fjalimin e tij të parë si lider i ri i Partisë Laburiste me një premtim për të “rikthyer shpresën” dhe për të sjellë rezultate për qytetarët britanikë.

Duke iu drejtuar mbështetësve të tij, Burnham pranoi se nuk i ka bërë gjithmonë gjërat siç duhet dhe se i vjen keq për rastet kur ka dështuar.

“Por unë gjithmonë kam dhënë gjithçka nga vetja”, tha ai, duke shtuar se me kalimin e kohës ka dëgjuar, ka mësuar dhe shpreson se është përmirësuar si rezultat i këtyre përvojave.

“Unë e di se çfarë besoj dhe çfarë dua të bëj. Unë kam një plan”, deklaroi Burnham.

Ai u zotua se nën drejtimin e tij Partia Laburiste do të punojë për t’u kthyer njerëzve besimin dhe shpresën që, sipas tij, u ka munguar.

“Unë besoj tek të gjithë ju dhe jam i bindur se mund ta bëjmë”, u shpreh ai, duke marrë duartrokitje dhe ovacione nga të pranishmit.

Një nga prioritetet e shpallura nga Burnham është transferimi i më shumë pushtetit nga institucionet qendrore në Westminster dhe Whitehall drejt komuniteteve lokale.

Ai tha se njerëzit duhet të kenë më shumë kontroll mbi çështjet themelore të jetës së tyre, me qëllim që shërbimet të funksionojnë më mirë dhe të jenë më të përballueshme.

Burnham u shpreh se është një lider i Partisë Laburiste që mbështet biznesin dhe premtoi të punojë për marrjen e më shumë kompetencave lokale, për të nxitur riindustrializimin dhe për të përmirësuar sistemin arsimor.

“Njerëzit presin që ne të japim rezultate dhe ne do t’i japim”, përfundoi ai.

Top Channel