E ardhmja e Mohamed Salah mund të marrë një drejtim krejtësisht të papritur.

Pas largimit nga Liverpooli në fund të sezonit, shumë prisnin që legjenda egjiptiane të transferohej në Arabinë Saudite, por tani në skenë ka dalë një pretendent i ri: Besiktasi.

Sipas gazetarit turk Yağız Sabuncuoğlu, klubi nga Stambolli i ka bërë tashmë ofertën e parë Salahut dhe bisedimet mes palëve kanë nisur.

Madje, raportimet bëjnë të ditur se sulmuesi 33-vjeçar ka ulur pretendimet e tij financiare për ta bërë të mundur transferimin në Turqi.

“Besiktasi ka bërë ofertën e parë për Mohamed Salah. Në takimin fillestar, Salah, i cili kërkonte një pagë prej 15 milionë eurosh në vit, uli kërkesat e tij për të firmosur me Besiktasin. Agjenti i lojtarit ka mbërritur në Stamboll”, raportoi Sabuncuoğlu.

Edhe agjenti i futbollistit, Ramy Abbas, la të kuptohet se një vendim është pranë.

“Ende nuk e dimë se ku do të luajë Mohamed sezonin e ardhshëm, por mund ta mësojmë shumë shpejt”, deklaroi ai.

Gjatë dy viteve të fundit, klubet saudite kanë tentuar vazhdimisht të bindin Salahun me oferta marramendëse, duke qenë të gatshme t’i ofrojnë një nga pagat më të larta në futbollin botëror.

Megjithatë, nëse raportimet nga Turqia rezultojnë të sakta, Besiktasi duket se ka marrë avantazhin në garën për firmën e ish-yllit të Liverpoolit.

Situata e Salahut ka hyrë në një fazë vendimtare edhe pas përfundimit të aventurës së Egjiptit në Kupën e Botës.

Egjiptianët u eliminuan në fazën e 1/8-ave nga Argjentina me rezultatin 3-2, në një ndeshje të mbushur me polemika. Salah protestoi ashpër, duke pretenduar se ishte faulluar pak çaste përpara golit vendimtar të Lionel Messit dhe shokëve të tij.

Mohamed Salah u largua nga Liverpooli pas nëntë sezonesh të jashtëzakonshme, gjatë të cilave realizoi 257 gola, duke u bërë një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e klubit.

Sezoni i tij i fundit nuk ishte i qetë, pasi pati disa përplasje publike me trajnerin Arne Slot, ndërsa në dhjetor shprehu hapur pakënaqësitë e tij.

Në një moment u duk se largimi mund të ndodhte që në janar, por pas Kupës së Afrikës u arrit një marrëveshje për të vazhduar deri në fund të sezonit.

Salah pati aktivizime të alternuara në pjesën e dytë të kampionatit, ndërsa Liverpooli siguroi me vështirësi një vend në Ligën e Kampionëve, pa arritur të fitojë asnjë trofe.

Pas përfundimit të sezonit, Arne Slot u largua nga drejtimi i skuadrës, ndërsa në stolin e “The Reds” u emërua trajneri spanjoll Andoni Iraola.

Nëse negociatat me Besiktasin përfundojnë me sukses, Salah do të nisë një kapitull të ri në karrierë, në atë që do të ishte një nga transferimet më surprizuese të kësaj vere.

Top Channel