Interi i ka synimet e qarta, mbrojtësi që shkëlqeu kundër Argjentinës pranë transferimit te zikaltrit

16/07/2026 16:16

Interi ka identifikuar një objektiv të ri për të përforcuar krahun e djathtë të mbrojtjes.

Pas dështimit të transferimit të Khalailit, klubi zikaltër ka zhvendosur fokusin te mbrojtësi anglez Djed Spence, i cili aktivizohet me Tottenhamin.

Sipas mediave italiane, trajneri Cristian Chivu e vlerëson shumë profilin e 25-vjeçarit, i cili mund të luajë në të dy krahët e mbrojtjes. Pëlqimi i teknikut përputhet edhe me planet e drejtuesve Beppe Marotta dhe Piero Ausilio, të cilët kanë nisur kontaktet me klubin londinez.

Spence nuk është një emër i panjohur për futbollin italian. Në sezonin 2023-2024 ai luajti në formë huazimi te Genoa, ku regjistroi 16 paraqitje në Serie A. Në fund të asaj eksperience, klubi gjenovez kishte mundësinë ta blinte për rreth 10 milionë euro, por marrëveshja nuk u realizua.

Ndërkohë, vlera e mbrojtësit është rritur ndjeshëm. Tottenham e vlerëson kartonin e tij rreth 35 milionë euro, një shifër më e lartë se ajo që Interi kishte planifikuar të shpenzonte për Khalailin.

Megjithatë, zikaltërit nuk kanë hequr dorë. Bisedimet me Tottenhamin vijojnë, edhe pse pa nxitim, me klubin italian që po përpiqet të gjejë formulën e duhur për të ulur koston e operacionit.

Një tjetër element që mund të favorizojë Interin është vetë dëshira e lojtarit. Raportohet se Spence do ta mirëpriste një rikthim në Serie A dhe e sheh kalimin te Interi si një mundësi për të luajtur rregullisht dhe për të qenë protagonist në Ligën e Kampionëve.

Aktualisht, mbrojtësi është i angazhuar me Anglinë në Kupën e Botës dhe është i fokusuar te ndeshja për vendin e tretë. Pas përfundimit të turneut, pritet që negociatat për të ardhmen e tij të marrin ritëm më të shpejtë.

Te Tottenham, Spence e ka të vështirë të sigurojë një vend titullari, pasi konkurrenca me Pedro Porron mbetet shumë e fortë. Kjo është edhe arsyeja pse largimi i tij gjatë kësaj vere konsiderohet një skenar realist, ndërsa Interi shpreson të përfitojë për ta sjellë sërish në futbollin italian.

Top Channel