“Jemi shumë larg garës për titull”/ Nga objektivat e Juventusit te merkatoja, Spalletti: Vlahovic? Dyert i ka të hapura, por…

17/07/2026 16:48

Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka dalë në konferencë për shtyp në prag të miqësores së parë verore ndaj Baselit, duke prekur temat më të nxehta të merkatos, objektivat e sezonit të ri dhe situatën e disa futbollistëve të skuadrës.

Në fillim të konferencës, tekniku bardhezi shprehu ngushëllimet e tij për trajnerin e Italisë U21, Silvio Baldini, i cili së fundmi humbi vajzën e tij, Valentina.

Spalletti u shpreh se ka gjetur një grup të vetëdijshëm për dështimin e sezonit të kaluar, por të motivuar për t’u rikthyer në nivele të larta.

“Kam gjetur një skuadër që është e vetëdijshme se nuk arriti objektivat sezonin e kaluar, por që beson se mund t’i realizojë në të ardhmen. Kemi pasur ulje-ngritje, por kemi mundësi të punojmë mbi mangësitë tona.”

Trajneri komentoi edhe ndryshimet e shumta në klub gjatë verës, duke theksuar se fokusi i tij ka qenë vetëm puna në fushë.

“Unë mendoj vetëm për punën time. Kam përjetuar një ndjenjë zhgënjimi për atë që nuk arritëm sezonin e kaluar dhe jam përqendruar vetëm te përgatitja. Gjëja më e rëndësishme është të dish të ngrihesh përsëri. Juventusi nuk është ndërtuar për të ndjekur të tjerët.”

Sipas Spallettit, merkatoja mbetet thelbësore për ta bërë Juventusin më konkurrues.

“Skuadra duhet të përforcohet, të përmirësohet dhe në disa pozicione të kompletohet. Duhet bërë një punë e thellë, edhe pse afatet janë të ndërlikuara për shkak të Botërorit. Merkatoja është ende e hapur dhe kemi kohë. Të gjithë në klub jemi në një linjë për rrugën që duhet të ndjekim.”

Spalletti pranoi se objektivi realist për momentin është rikthimi mes skuadrave më të mira të Serie A.

“Duhet të përmirësojmë shumë gjëra, mbi të gjitha të kemi vazhdimësi në lojë dhe rezultate. Nëse arrijmë këtë nivel, mund të luftojmë për katër vendet e para dhe zonën e lartë të renditjes. Ndoshta jemi ende shumë larg garës për titull.”

I pyetur për të ardhmen e Dusan Vlahovic, trajneri nuk deshi të hynte në çështjet kontraktuale.

“Unë kam bërë atë që më takonte. Pastaj janë çështje ekonomike që nuk varen nga unë. Mund të them vetëm se dera është e hapur, por duhet të bjerë zilja.”

Tekniku foli edhe për talentin Kenan Yildiz, i cili ka nisur përgatitjet pas një periudhe pushimi.

“Yildiz kishte nevojë të pushonte dhe besoj se kjo i ka bërë mirë. Nëse do të jetë e nevojshme, do të ndjekë një program të veçantë pune. Ne duam t’i ofrojmë kushtet më të mira për t’u zhvilluar.”

Spalletti komentoi edhe dy afrimet e fundit të Juventusit.

“Celik është një lojtar i besueshëm dhe ka karakter luftëtari. Ishte një ide e mirë ta sillnim në Torino. Ekhator ka potencial të madh, por duhet të rritet me qetësi dhe pa presion.”

Trajneri shtoi se merkatoja mbetet e hapur dhe se klubi duhet të jetë i përgatitur për çdo skenar.

“Duhet të jetojmë edhe me frikën se mund të largohet ndonjë futbollist. Klubet e mëdha dinë të befasojnë dhe ajo që ndodhi dje me Celikun e dëshmon këtë.”

Në fund, Spalletti shprehu besimin e plotë te drejtuesit e rinj të Juventusit, Frederic Massara dhe Giovanni Carnevali.

“Kam pasur gjithmonë marrëdhënie të mira me drejtorët sportivë me të cilët kam punuar, edhe kur kemi pasur mendime të ndryshme. Me Massarën kam bashkëpunuar më parë, ndërsa për Carnevalin kam vlerësim të madh. Kam besim se së bashku mund të ndërtojmë një skuadër të nivelit të lartë.”

Top Channel