Samiti i Koalicionit të Vullnetmirëve në Paris, liderët vendosin ndërtimin e një programi të përbashkët europian anti-balistik

13/07/2026 22:30

Samiti i Koalicionit të Vullnetmirëve, që po zhvillohet në Paris, dhe ku merr pjesë edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama, ka vendosur të ndërtojë një program të përbashkët evropian anti-balistik.

Bëhet fjalë për një program të përbashkët mbrojtjeje për Evropën kundër raketave balistike, duke përdorur përvojën e Kievit në luftën kundër Rusisë, që vijon prej më shumë se katër vitesh.

“Qëllimi ynë është të ndërtojmë një aftësi të përbashkët mbrojtëse nga raketat balistike për Evropën”, thanë udhëheqësit evropianë në Samitin e Parisit, në një deklaratë të hënën, teksa u takuan me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për bisedime.

Njoftimi erdhi ndërsa Mbretëria e Bashkuar nënshkroi për të marrë pjesë në kredinë mbështetëse prej 90 miliardë eurosh të Bashkimit Evropian për Ukrainën. Ky veprim është lëvizja e parë nga BE dhe Britania për të punuar më ngushtë së bashku, pasi Britania u largua nga blloku në vitin 2020 pas votimit të Brexit.

Udhëheqësit evropianë, përfshirë edhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama, u mblodhën në Paris me ftesë të presidentit Emmanuel Macron. Ky i fundit priti me një përqafim të ngrohtë kryeministrin Rama, si dhe liderët e tjerë. Edhe Zelenskyy mbërriti në Paris të hënën, me kërkesën për të përshpejtuar përpjekjet me vendet evropiane për të zhvilluar mbrojtjen ajrore të Ukrainës përpara dimrit, kohë kur Rusia intensifikon sulmet e saj për t’u mohuar ukrainasve energjinë elektrike, ngrohjen dhe ujin.

Programi anti-balistik do të përfshijë “një arkitekturë të integruar të mbrojtjes nga raketat, për të penguar dhe neutralizuar kërcënimet e ardhshme nga raketat”, thuhet në deklaratën e vendeve evropiane.

Top Channel