Samiti i Koalicionit të Vullnetmirëve në Paris, liderët vendosin ndërtimin e një programi të përbashkët europian anti-balistik
Guvernatori i Karolinës së Jugut, Henry McMaster, ka emëruar Darline Graham Nordone, motrën e senatorit të ndjerë Lindsey Graham, për të mbajtur përkohësisht vendin e tij në Senatin amerikan.
Në një konferencë për mediat, Nordone u shpreh se e konsideron një nder të vazhdojë punën e vëllait të saj dhe premtoi se do të punojë për të përfaqësuar qytetarët e Karolinës së Jugut dhe për të mbështetur administratën amerikane.
“Kam qenë gjithmonë krenare për Lindsey-n. Më mungon më shumë sesa mund ta përshkruaj me fjalë, por do ta çoj përpara këtë përgjegjësi”, deklaroi ajo.
Guvernatori McMaster bëri të ditur se ia propozoi këtë detyrë Nordone-s të dielën në mëngjes dhe vlerësoi gatishmërinë e saj për ta pranuar menjëherë.
Emërimi i saj ka marrë edhe mbështetjen e presidentit Donald Trump. Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump tha se i kishte rekomanduar guvernatorit McMaster emërimin e Darline Graham Nordone si senatore të përkohshme, duke e cilësuar atë si një mënyrë të denjë për të nderuar kujtimin e Lindsey Graham.
Sipas ligjit të Karolinës së Jugut, guvernatori ka të drejtë të emërojë një zëvendësues të përkohshëm në rast të një vendi vakant në Senat. Megjithatë, për shkak se mandati i Graham ishte në përfundim dhe ai do të rikandidonte këtë vit, do të zhvillohen zgjedhje të posaçme për të zgjedhur senatorin e ri, i cili do të garojë në zgjedhjet e nëntorit.
Darline Graham Nordone dhe Lindsey Graham kanë pasur një lidhje shumë të ngushtë familjare. Pas vdekjes së prindërve të tyre, kur Darline ishte vetëm 13 vjeç, Lindsey Graham u bë kujdestari i saj ligjor dhe u përkujdes për të deri në moshën madhore.
Ndërkohë, gara për vendin e senatorit pritet të jetë e fortë. Mediat amerikane raportojnë se mes emrave që po përmenden si kandidatë republikanë janë kongresmenët Nancy Mace dhe Ralph Norman, ndërsa kandidati që do të zgjidhet nga republikanët do të përballet në zgjedhjet e nëntorit me kandidaten demokrate Annie Andrews.
Top Channel