Gjykata e Lartë i ka dhënë të drejtë kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në betejën për kallëzimin e “Nesti Angonit”.
Kolegji Penal zgjidhi mosmarrëveshjen e kompetencës mes GJKKO-së dhe Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Vendimi detyron Gjykatën e Tiranës të shqyrtojë ankimin e Veliajt.
Kryebashkiaku kërkon shfuqizimin e vendimit datë 08.05.2026, për mosfillimin e procedimit penal.
Ai kërkon gjithashtu që gjykata të urdhërojë regjistrimin e procedimit dhe kryerjen e veprimeve hetimore.
Kallëzimi i Veliajt lidhet me dokumentin e firmosur nga “Nesti Angoni”, mbi bazën e të cilit u nis procedimi ndaj tij.
Sipas verifikimeve zyrtare të përmendura në kallëzim, ky person nuk rezulton të ekzistojë në regjistrat e gjendjes civile.
Tashmë Gjykata e Tiranës do të vendosë nëse prokuroria duhet të vijojë hetimet.
Top Channel