Pranoi se i dha telefonin Veliajt, ish-polici i Burgjeve në gjyq: U ndikova nga pushteti i kryebashkiakut. Shtyhet seanca

13/07/2026 10:34

Ka kërkuar pafajësi para Gjykatës së Posaçme Adela Kondakci, e akuzuar nga SPAK për pastrim parash në rolin e financieres së disa shoqërive që dyshohen se zotëroheshin nga Ajola Xoxa, bashkëshorte e Erjon Veliaj.

Mbrojtja e të pandehurës kujtoi se Kondakci ka bashkëpunuar me drejtësinë, përderisa u tregua transparente për të folur rreth faturave financiare. Por të gjitha këto veprime ish-financierja i ka kryer pa asnjë përfitim, tha më tej avokati i saj. Për shkak të rolit të saj ndihmës për SPAK-un, kur prokuroria kërkoi dënimin e saj me 7 vite burgim, që me aplikimin e gjykimit të shkurtuar zbret në 4 vjet e 7 muaj, SPAK ka sugjeruar që ish-financierja të mos kryejë asnjë ditë burg.

Ndërkohë, në të njëjtën seancë u mbrojt edhe ish-polici i burgjeve Fatjon Baçi, i cili u mor i pandehur pasi i dha telefonin Erjon Veliajt, që rezulton se komunikoi me familjen. Baçi e konsideroi këtë veprim si një gabim njerëzor, të ndikuar nga pushteti dhe personaliteti i kryebashkiakut të Tiranës dhe, siç shtoi mbrojtja, nuk ka kryer krim.

Gazetarja Anila Hoxha raporton se avokati i ish-policit të burgjeve renditi si rrethanë lehtësuese ndaj tij edhe kriterin ekonomik, duke qenë se ai është i vetmi i punësuar në familje.

Për ish-policin, SPAK ka kërkuar dënimin e tij me 5 vite burg dhe të aplikohet gjykimi i shkurtuar.

Më 23 korrik do të vijojë mbrojtja e të pandehurve të tjerë.

Top Channel