Screenshot

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar pesë projektligjet që përbëjnë paketën fiskale, të cilat parashikojnë ndryshime dhe shtesa në legjislacionin tatimor të vendit.

Gjatë votimit në seancën plenare, projektligjet morën mbështetjen e shumicës së deputetëve, me një numër votash pro që varion nga 78 deri në 82.

Konkretisht, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për tatimin mbi të ardhurat’” u miratua me 82 vota pro.

Ndërsa projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’” mori 78 vota pro.

Me 80 vota pro u miratua projektligji për ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Po ashtu, projektligji për ndryshime në ligjin “Për taksat kombëtare” u miratua me 80 vota pro dhe 20 kundër.

Ndërkohë, projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” mori 78 vota pro.

Ndryshimet, debatet dhe fati i amendamenteve të paraqitura në Kuvend:

Ndër ndryshimet kryesore të paketës fiskale janë ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për produktet ushqimore, rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% dhe rritja nga 6% në 10% e TVSH-së për strukturat akomoduese.

Paketa parashikon gjithashtu uljen e pragut të regjistrimit të bizneseve në regjimin e TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor, rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, si dhe zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburantit te detyrimet vjetore të automjeteve.

Uji i ambalazhuar hiqet nga lista e produkteve me TVSH 6%

Me 78 vota pro, 12 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi amendamentin e deputetit socialist Erjon Malaj për heqjen e ujit të ambalazhuar nga lista e produkteve që përfitojnë TVSH të reduktuar. Uji i ambalazhuar ishte përfshirë më herët në listën e miratuar nga Komisioni i Ekonomisë.

Kuvendi rrëzoi gjithashtu amendamentet e deputetëve të Partisë Demokratike për aplikimin e TVSH-së në masën 6% për ujin e pijshëm.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku kritikoi ndryshimet e bëra gjatë seancës plenare, duke akuzuar mazhorancën për mungesë transparence.

“Sa i përket TVSH-së, Komisioni i Ekonomisë e përfshiu ujin, Parlamenti e heq. Propozimi ynë është që të përfshihet edhe uji i pijshëm. Është i detyrueshëm. Uji i pijshëm të përfshihet, se me rritjen nga 20% në 21% po ia rrisni edhe këtij produkti. Shpresoj të ishte lapsus. Nuk mund të votohet një paketë fiskale që s’është diskutuar”, deklaroi Tabaku.

Deputetja kundërshtoi edhe amendamentin e miratuar më herët për përjashtimin për 10 vjet nga tatimfitimi të hoteleve me status special.

“E kuptuat për çfarë ngritët kartonin? Ngritët kartonin për të hequr për 10 vite taksat korporative për hotelet me 5 yje, ndërkohë i kanë premtuar Komisionit Europian që ligji i investimeve strategjike do të shfuqizohet. Kanë që në 2018 që ua shtyjnë favoret këtyre, u japin tokë falas, tani u shtyjnë edhe këto favore”, tha Tabaku.

Kapri kërkon uljen e TVSH-së për energjinë elektrike

Deputeti Erald Kapri argumentoi se ulja e TVSH-së për produktet ushqimore nuk garanton domosdoshmërisht uljen e çmimeve për konsumatorët, ndërsa një masë e ngjashme për energjinë elektrike, sipas tij, do të sillte kursime të drejtpërdrejta për familjet.

“Nuk ka garanci që ulja e TVSH-së për ushqimet do të ulë çmimin, por ulja e TVSH-së për energjinë elektrike do të garantonte një kursim për familjet. Nëse një familje konsumon 300 kilovatë, do të kursente 300 lekë në muaj. Ju keni vendosur ta rrisni TVSH-në në 21%, do të thotë se edhe çmimi i energjisë do të rritet”, u shpreh Kapri.

Kuvendi rrëzoi me 19 vota pro dhe 79 kundër edhe katër amendamentet e paraqitura nga Partia e Lirisë. Deputeti Edmond Haxhinasto kritikoi procesin e hartimit të paketës fiskale, duke argumentuar se nuk i ishte kushtuar koha e nevojshme diskutimit me biznesin.

Dyfishimi i taksave vjetore të automjeteve, Korreshi: Do të rikthehemi te gomari

Debate shkaktoi edhe ndryshimi që parashikon zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburanti te detyrimet vjetore të automjeteve.

Deputeti demokrat Saimir Korreshi propozoi heqjen e dispozitës për dyfishimin e taksave vjetore të automjeteve, duke ironizuar pasojat që, sipas tij, do të ketë kjo masë për qytetarët.

“Do të kalojmë nga Mercedesi, do të rikthehemi te gomari. Siç e provuam, erdhëm te traktorët, kaluam te parmenda, se premtuat naftën falas. Në këto kushte, duke pasur edhe transportin urban shumë të zhvilluar, sidomos andej nga Lushnja që punon me mazut, njerëzve u rriten edhe taksat dhe ecin drejt Europës në këmbë. Nuk ulet nafta, është komplet bllof. Vërja Lenës dhe hiqja Prenës. Mjerë o popull, çfarë bëhet në emrin tënd”, deklaroi Korreshi.

Amendamenti i tij u rrëzua me 22 vota pro dhe 80 kundër.

Miratohet amendamenti i Maznikut për akcizën e duhanit

Me 80 vota pro dhe 15 kundër, Kuvendi miratoi amendamentin e propozuar nga Arbjan Mazniku për mbajtjen e pandryshuar të akcizës për duhanin me gjethe të kultivuar, në nivelin 4100 lekë për kilogram.

Ndryshimi heq rritjen graduale të akcizës të parashikuar për periudhën 2028-2033, në fund të së cilës ajo do të arrinte në 10 200 lekë për kilogram.

Në përfundim të shqyrtimit të paketës fiskale, ndryshimet në ligjin për TVSH-në u miratuan me 78 vota pro dhe 21 kundër, projektligji për procedurat tatimore me 80 vota pro dhe 21 kundër, ai për taksat kombëtare me 80 vota pro dhe 22 kundër, ndërsa ndryshimet në ligjin për akcizat morën 78 vota pro dhe 18 kundër.

Buxheti 2027, rrëzohet propozimi i Berishës për minimumin jetik prej 20 mijë lekësh

Pas miratimit të paketës fiskale, Kuvendi vijoi me shqyrtimin dhe votimin e amendamenteve të paraqitura për projektbuxhetin e vitit 2027.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, propozoi vendosjen e minimumit jetik në një nivel jo më të ulët se 20 mijë lekë, duke filluar nga prilli i vitit 2027.

Berisha argumentoi se rritja e çmimeve ka rënduar situatën ekonomike të pensionistëve, familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike dhe qytetarëve që paguhen me pagë minimale.

“Janë të paktën 550 mijë pensionistë me pensione të pjesshme që dridhen duke numëruar kafshatën. Janë dhjetëra mijëra shqiptarë në ndihmë sociale, të cilët marrin as gjysmën e asaj shume me të cilën mund të përballojnë ushqimet. Janë familje të tëra me rroga minimale”, u shpreh Berisha.

Sa i përket burimit të financimit, kreu i PD-së propozoi reduktimin me 300 milionë euro të shpenzimeve të parashikuara për administratën.

“Të hiqen 300 milionë euro nga 960 milionë euro që kishit parashikuar për administratën tuaj. Për një moment të shkëputeni nga cinizmi, të përpiqeni të kaloni në anën humane të ndërgjegjes njerëzore”, deklaroi Berisha.

Amendamenti për minimumin jetik u rrëzua me 21 vota pro dhe 80 kundër.

Rrëzohet propozimi i Ina Zhupës për pagën e 13-të të mësuesve

Me 22 vota pro dhe 80 kundër, Kuvendi rrëzoi amendamentin e deputetes demokrate Ina Zhupa, e cila kërkoi që të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar të përfitonin një pagë të 13-të.

“Nuk parashikohet një shpërblim vjetor i standardizuar. Ka qenë një praktikë në kohën e qeverisë së PD-së. Është një kontratë me mësuesit, por nuk zbatohet”, deklaroi Zhupa.

Igli Cara kërkon 24 miliardë lekë për rritjen e pensioneve

Nuk mori miratimin e Kuvendit as amendamenti i deputetit demokrat Igli Cara, i cili propozoi që 24 miliardë lekë të dedikoheshin për rritjen e pensioneve.

“Si pasojë e rritjes së çmimeve, nisur nga fakti që në 13 vite është tallur me pensionistët, vetëm indeksime të pjesshme janë ndërmarrë. Propozoj që 24 miliardë lekë të dedikohen vetëm për rritjen reale të pensioneve. Qëllimi është i thjeshtë, pensionistët të kenë të drejta të përhershme”, u shpreh Cara.

Propozimi u rrëzua me 20 vota pro dhe 80 kundër.

Nuk miratohet propozimi i Shehajt dhe Kaprit për pezullimin e pagesave të koncesioneve dhe PPP-ve

Me 17 vota pro dhe 81 kundër, Kuvendi rrëzoi amendamentin e deputetëve Agron Shehaj dhe Erald Kapri për pezullimin e pagesave për kontratat koncesionare dhe partneritetet publike-private (PPP).

Ndërkohë, deputeti demokrat Luan Baçi kërkoi më shumë fonde për fermerët, duke i cilësuar të pamjaftueshme financimet e parashikuara për këtë kategori.

“Pse nuk mblidheni vetë për të gjetur fonde për fermerët? Fondet janë shumë të dobëta, të pakta. Mendoj që duhet të jeni më seriozë me fermerët”, deklaroi Baçi.

Top Channel