“Takime që nuk sjellin zgjidhje”/ Situata politike në Kosovë, ekspertët: Vështirë që Vetëvendosje të merret vesh me LDK

13/07/2026 20:03

Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje takoi kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Diskutimet u tha se ishin konstruktive, por Albin Kurti u pajtua vetëm me Lumir Abdixhikun e LDK-së për të vazhduar takimet. Megjithatë, njohësit thonë që është vështirë e arritshme një marrëveshje mes tyre, për shkak të përçarjes së brendshme të LDK-së.

“Abdixhiku po shkon me një legjitimit të thyer, fragjil, i cili nuk e ka as komandën e plotë mbi deputetët e Lidhjes Demokratike, të cilët kanë shprehur haptas pakënaqësitë, jo vetëm ndaj z. Abdixhikut por edhe me mënyrën se si po dëshiron të arrihet një marrëveshje”, u shpreh eksperti i politikës Dritëro Arifi.

Njohësit e politikës në përgjithësi i shohin këto takime si përsëritje e zhvillimeve të legjislaturës së kaluara dhe shfrytëzim i situatës për përfitim elektoral në të ardhmen.

“Janë disa inskenime, në radhë të parë jam i bindur që Lëvizja Vetëvendosje do të investojë në masë të madhe që të sforcojë narracionin e saj politik se e bëri të pamundur, por se faji duhet të kërkohet te LDK-ja e cila nuk po arrin të merret vesh për të ndarë pushtetin”, shtoi Arifi.

Nga takimet e së premtes, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha se partia e tij në këtë mandat do të mbetet në opozitë, duke i mbyllur derën Vetëvendosjes për një bashkëpunim të mundshëm. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në anën tjetër ka deklaruar se do zhvillojë takime të tjera, para se të thirret seanca konstituive për Kuvendin, për çka ka kohë deri më 7 gusht.

Top Channel