La Liga jep verdiktet e mbetura të kampionatit, edhe Spanja mund të ketë 9 skuadra në kompeticionet evropiane
Ajo që duhej të ishte kurorëzimi i një edicioni të luftuar sportiv dhe festa e vërtetë e “Final Four”, u shndërrua brenda pak minutash në një arenë të shëmtuar gladiatorësh, duke njollosur jo vetëm një ndeshje të cilësuar si finale e parakohshme, por gjithë imazhin e futbollit tonë.
Përballja mes Vllaznisë dhe Egnatias nuk ishte thjesht një lojë futbolli, por një betejë nervash për trofeun, një tension i akumuluar që u ndje në çdo centimetër të fushës derisa shpërtheu në mënyrën më të papranueshme të mundshme. Ekuilibri i brishtë i barazimit 1-1 e mbajti ndeshjen në fije të perit dhe të dyja skuadrat nën një presion asfiksues, por ishte minuta e 88-të ajo që hodhi në erë çdo logjikë sportive. Goli i fitores nuk solli vetëm shpërthimin e gëzimit legjitim të rrogozhinasve për kalimin në avantazhin 2-1, por u pasua nga një valë provokimesh të rënda nga lojtarët e Egnatias drejt kampit shkodran.
Në një moment ku presioni psikologjik kishte arritur pikën e vlimit, situata degradoi totalisht, duke kulmuar me përplasjen fizike mes dy kapitenëve. Albano Aleksi, një lojtar i njohur për stilin e tij që luan shpesh herë edhe me nervat e kundërshtarit, kaloi limitet e etikës, ndërsa kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, i tradhtuar nga inati dhe dëshpërimi i një titulli që po i rrëshqiste nga duart, reagoi në mënyrën më ekstreme duke e sulmuar flakë për flakë me grushta. Ky episod ishte shkëndija që ndezi një zjarr masiv, duke i kthyer minutat e mbetura në një kaos ku fusha ngjante më shumë me një ring boksi mes lojtarëve të tjerë, sesa me një fushë të gjelbër.
Për Vllazninë, ky shpërthim dhune dhe dështimi për të ruajtur qetësinë është certifikimi i dhimbshëm i rënies së shpresave për titullin kampion. Shkodranët jo vetëm që humbën ndeshjen më jetike të vitit, por humbën busullën dhe e mbyllën llogarinë me këtë kampionat në mënyrën më të keqe psikologjike, ku fatura e rëndë e pezullimeve disiplinore që pritet të vijë, thjesht do t’i vërë “kapakun” një fundi të hidhur.
Në krahun tjetër, Egnatia tregoi një pragmatizëm sa cinik aq edhe efektiv. Skuadra rrogozhinase di të mbijetojë dhe të marrë maksimumin edhe kur ndeshjet kthehen në “luftëra” psikologjike dhe fizike. Me dy fitore në dy ndeshje në këtë fazë kritike të “Final Four”, ata tashmë kanë kaluar pengesën më të madhe dhe e kanë hedhur “Knock-Out” rivalin e tyre kryesor.
Për Rrogozhinën kjo është koha e festës dhe e dominimit absolut, ndërsa për Vllazninë dhe rivalët e tjerë mbetet vetëm detyra e vështirë për të mbledhur copëzat e një sezoni që përfundoi mes zhgënjimit dhe grushtave.
Top Channel