Ka një takim me historinë dhe DigitAlb është gati. Mbrëmjen e kësaj të diele në këtë platformë do të transmetohet Barcelona-Real Madrid, El Clasico më i rëndësishëm i viteve të fundit. Për një arsye shumë të thjeshtë; kurrë më parë në histori titulli i La Ligas nuk është dhënë në ndeshjen direkte mes dy superfuqive të futbollit spanjoll. Këtë vit ka shumë të ngjarë që të ndodhë kështu.

Barcelona në vend të parë me 88 pikë, Real Madrid në të dytën me 77. Katalanasve iu mjafton vetëm 1 pikë për të triumfuar kur kanë mbetur edhe 3 javë për t’u luajtur në kampionat. 

Reali i Madridit ka vetëm një mundësi për të tentuar te shtyjë të paktën festën e rivalëve të përhershëm; duhet të ftojë në Camp Nou, gjë që nuk është aspak e lehtë.

Atmosfera e festës së menjëhershëm e ka pushtuar tashmë Barcelonën. Pasi u kapërdi me vështirësi eliminimi në Ligën e Kampioneve nga Atletico Madrid, blaugranat i kanë rikuperuat praktikisht të gjithë lojtarët, përvec Lamine Yamal që po vijon procesin e rikuperimit për të tentuar të japë më të mirën e tij në Botëror. Trajneri Hansi Flick po monitoron nga shumë afër, Raphinhan, një prej sulmuesve të tij të preferuar që mund të kthehet të jetë titullar pikërisht në El Clasico ndaj Realit të Madridit pas një dëmtimi të komplikuar.

Titulli i 29 kampion, mund të jetë edhe më i pasuri në histori. Në këto ditë janë zbuluar shpërblimet që çdo futbollist do të pëfitojë në momentin që do të arrihet objektivi. Shkohet nga 500 mijë euro për lojtar për ata që kanë pagën më të ulët, deri në 1.5 milionë euro për emrat e mëdhenj të skuadrës. Sigurisht titulli është një siguri, por ta fitosh atë pikërisht kundër Realit të Madridit, ‘armikut’ të vërtetë, do të ishte një gëzim i dyfishtë. Gjithsesi mes Barcelonës dhe Realit të Madridit nuk del asnjëherë një ndeshje normale. E ka nënvizuar këtë edhe Gavi, talenti i akademisë së Barcelonës që foli për mediat e klubit. ‘Jemi gati të japim 200% në fushë. Barazimi nuk na mjafton. Kemi një objektiv më shumë të arrijmë në 100 pikë’-ishin fjalët e mesfushorit të talentuar. Kjo do të thotë që Barcelonës i duhet të fitojë të 4 ndeshjet e mbetura duke nisur nga El Clasico. Këto 100 pikë Barcelona i ka arritur edhe më parë në sezonin 2012-2013 kur në pankinë ishte Tito Vilanova-

Duke lexuar kronikat e Realit të Madridit, duket sikur je zhytur në një skenar lufte mes bandash dhe jo në dhomat e zhveshjes së një skuadre. Për Los Blancos ishte një sezon katastrofik në shumë këndvështrime duke nisur nga dështimi i projektit Xabi Alonso që ishte studiuar me kohë dhe me shpresa të mëdha. Zëvendësuesi i tij Alvaro Arbeloa, mendoi se do të ishte në kushte të mira për shkak te miqësisë me djalin e Florentino Perez(që nuk do të jetë në tribunën e Camp Nout), por rezultatet dhe situata e brendshme e skuadrës kanë shkruar fjalën ‘Fund’ në karrierën e skuadrës së parë për Arbeloan.

Një fuçi baruti që është gati të shpërthejë në çdo sekondë, kështu mund për përshkruhet sot Reali i Madridit. Java nisi me zbulimin e pushimeve në Sardenjë të Kylian Mbappe dhe me peticionin e tifozëve që do të donin largimin e menjëhershëm të tij nga skuadra(në Barcelonë do të jetë me shokët e skuadrës, por me shumë mundësi do të jetë në stol). Më pas vijoi  me sherrin e dyfishtë të mërkurën dhe të enjten  mes Valverdes dhe Tchouameni, fillimisht me fjalë dhe më pas edhe me grushta(edhe pse Valverde mohoi se u godit me grusht). Uruguajanit sherri i kushtoi një shtrim disaorësh në spitar dhe disa qepje. Sikur të mos mjaftonte nga dhomat e zhveshjes doli edhe një histori për një sherr mes Rudiger dhe Carreras por edhe për përplasje të tjera(edhe pse nuk kanë qenë të kohëve të fundit) mes Bellingham dhe Mbappe.

Çfarë do të ndodhë në të ardhmen e Realit të Madridit për momentin është në mendjen e Florentino Perez ose ndoshta jo ende. Presidenti thotë se Los Blancos duhet të paktën të tentojnë të nxjerrin krenarinë e tyre  duke luajtur një ndeshje në lartësinë e tyre, përndryshe do të jetë një poshtërim që nuk është ndjerë kurrë më parë në histori.

Top Channel