Gjatë 24 orëve të fundit janë finalizuar disa operacione policore, për goditjen e lojërave të fatit, kultivimit të bimëve narkotike, dhune në familje apo shoferë të dehur në timon.
Siç raporton Policia e Shtetit, në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste në të gjithë territorin, me 9 autorë, nga të cilët 1 i arrestuar, 7 të proceduar dhe 1 i shpallur në kërkim.
Janë evidentuar dhe asgjësuar një numër i konsiderueshëm fidanësh e bimësh narkotike dhe është sekuestruar një sasi e vogël kanabisi.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste, me 11 autorë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe një rast vetëvrasjeje (një 19-vjeçare dyshohet se, në kushte të rënduara psikologjike, është vetëhedhur nga kati i 5-të i një pallati në Durrës dhe ka humbur jetën).
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 8 autorë, nga të cilët 4 të arrestuar dhe 4 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 4 raste, me 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 në kërkim.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimit të lotarive të palejuara”, me 1 autor të arrestuar. Janë sekuestruar një tavolinë pokeri dhe një valixhe me çipsa për poker.
Janë evidentuar 5 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të krimeve kundër mjedisit, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur/pa leje drejtimi dhe janë proceduar 4 shtetas që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Në të gjithë territorin janë evidentuar 5 raste aksidentesh (1 me pasojë humbje jete dhe 4 raste me 4 shtetas të lënduar, jashtë rrezikut për jetën).
Janë arrestuar 3 shtetas për kundërshtim të punonjësve të Policisë dhe shkatërrim prone.
Si dhe janë proceduar penalisht 18 shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale.
Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penalisht 3 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia e Shtetit apelon për respektimin e ligjit dhe rregullave të qarkullimit rrugor. Drejtuesit e mjeteve të shmangin shpejtësinë, përdorimin e celularit gjatë drejtimit, drejtimin e automjetit në gjendje të dehur dhe çdo sjellje që rrezikon jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Top Channel