“Librat i përkëdhelte si fëmijë”/ Paskal Milo ndan kujtimet me akademikun Rexhep Qosen: Kishte një shtëpi të thjeshtë, por një kabinet pune madhështor

23/04/2026 22:50

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, një mik i ngushtë i akademikut Rexhep Qosja, që u shua ditën e sotme në moshën 89-vjeçare, e ka cilësuar atë si një mendje të ndritur të kombit shqiptar.

I ftuar mbrëmjen e sotme në ‘Top Story’, ish-ministri kujton kohët e vjetra kur e ka vizituar Qosjen në shtëpinë e tij, që sipas tij ishte një shtëpi sa e thjeshtë, por aq edhe madhështore nga kabineti i tij i punës.

Paskal Milo tregon mbresat e mëdha që i ka lënë akademiku, të cilin ai e ka cilësuar një nga më të rrallët.

“Kam mbresa të jashtëzakonshme. Ato që u thanë janë të gjitha të denja, por unë nuk gjej cilësime për ta emërtuar karakterin e tij, prodhimtarinë e tij. Ai nuk ishte vetëm historian i letërsisë, por ishte edhe shkrimtar, kritik letrar, shkencëtar i përmasave të mëdha, por mbi të gjitha ai ishte një mendje e ndritur e kombit shqiptar, një filozof i mendimit kombëtar, ai është nga më të rrallët.

Pena e tij ishte shumë e çmuar, shumë e nivelit, por edhe aq e thjeshtë, me një gjuhë të thjeshtë për të gjithë. Qosja ka qenë një njeri shumë i thjeshtë në të gjitha pikëpamjet. Që nga shtëpia e tij, që e kishte ndërtuar me kontribute familjare. Kur hyje brenda shtëpisë së tij ishte shumë e thjeshtë, madhështor ishte kabineti i tij i punës.

Ishte fantastik, i jashtëzakonshëm. Me një tavolinë të madhe, e rrethuar nga libra të pafundmë, të cilat ai i përkëdhelte si fëmijë, jetonte me to. Ishte shumë i ndjeshëm. Unë kam mbresa të jashtëzakonshme. Mbresa të mëdha edhe për bashkëpunimin në fazën finale për zgjidhjen e konfliktit të Kosovës”, u shpreh ish-ministri Paskal Milo.

Top Channel