Kontenieri nga Durrësi u nis gabimisht në Greqi, reagon Drejtoria e Doganave: Krahas Prokurorisë, do vlerësohet edhe përgjegjësia disiplinore e doganierëve
Nxënësi 14-vjeçar, Martin Cani, që u vra me thikë në mënyrë tragjike nga një bashkëmoshatar, në nëntor të vitit 2024, tashmë do të përkujtohet edhe përmes një mini-fushe futbolli.
Në nder të të futbollistit të ndjerë, Federata Shqiptare e Futbollit vendosi të ndërtojë një mini-fushë, që do të mbajë emrin e të miturit. Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, si dhe familjarët e Martin Canit, në një moment të mbushur me emocion dhe mirënjohje.
“Sot inaugurojmë një fushë që do të mbajë emrin e Martinit – një djalë i talentuar dhe me potencial të madh. Ky është një kontribut i Federatës jo vetëm për të nderuar kujtimin e tij, por edhe për të inkurajuar fëmijët që të zgjedhin sportin si rrugë zhvillimi. Në këtë mënyrë japim edhe një mesazh të qartë: dhuna nuk është zgjidhje, ndërsa sporti është një alternativë që ndërton dhe bashkon”-tha Basha.
Dy prindërit e Martin Canit vlerësuan këtë gjest, duke e cilësuar si një kontribut për brezat e rinj.
“Jam shumë krenare që u realizua kjo mini-fushë për të gjithë fëmijët. Shpresoj që këtu të përcillet gjithmonë energjia pozitive që kishte Martini. Faleminderit nga zemra Federatës”-u shpreh nëna e Martinit.
“Faleminderit FSHF-së që nuk e harroi Martinin dhe që krijoi këtë hapësirë për komunitetin dhe brezat e rinj. Është një kontribut i çmuar për të ardhmen e fëmijëve“-shtoi babai.
Ky investim i Federatës Shqiptare të Futbollit shkon përtej infrastrukturës sportive. Ai përfaqëson një simbol të kujtesës dhe shpresës, si dhe një mesazh të fortë për rolin që sporti luan në edukimin, përfshirjen dhe zhvillimin e shoqërisë.
Top Channel