“Ne ua dërguam vajzën nuse, ata e sollën me arkivol”…
Janë këto fjalët rrëqethëse të një nëne që humbi vajzën e saj në rrethana tragjike, të thëna për korrespondenten e Top Channel Brixhilda Deda.
Më shumë se një muaj pas tragjedisë që tronditi opinionin publik, dhimbja në familjen e Xhuana Nikollajt mbetet e pashuar. 25-vjeçarja, që sipas të afërmve i dha fund jetës pas dhunës së ushtruar nga bashkëshorti, nuk jeton më, por plagët që la pas janë ende të hapura.
Për herë të parë, prindërit e saj hapin dyert e shtëpisë dhe zemrës për Top Channel, duke rrëfyer muajin më të vështirë të jetës së tyre… një muaj mes dhimbjes, pyetjeve pa përgjigje dhe kujtimeve që nuk shuajnë boshllëkun që la vajza e tyre.
“Shumë e vështirë ka qenë për ne se na ra befas, shumë dhimbje për ne. Vajza ishte shumë mirë në ëndrrat e saj, e lumtur. Veç kur na erdhi lajmi që është në spital. E kemi çuar vajzën nuse, me shkollë… vajzën e sollën në arkivol.
Apeli im është që ai djalë vajzën time të mos e kishte prekur me dorë. Do Zoti që familja e tij të shkojnë ta marrin dhe ta vënë para drejtësisë dhe të vuaj për çfarë ka bërë për vajzën tonë”, u shpreh nëna e saj.
“Kur të arrestohet ai ne lehtësohemi pak”, shton ajo.
Mes dhimbjes për humbjen e vajzës së tyre, babai tregon për shenjat e dhunës që, sipas tij, ishin të dukshme në trupin e Xhuanës. Ai shton se telefoni i saj ende nuk është hapur nga policia, një detaj që, sipas familjes, mund të zbardhë të vërtetën.
“Dhimbjen e kam të madhe, i bëj apel institucioneve që të vënë dorën në zemër dhe të vënë drejtësi për atë krim që ka bërë ai kriminel dhe të kapet sa më parë. Vajza ime s’i ka pasur asnjë borxh. Kushdo që e sheh ta denoncojnë dhe ta çojnë para drejtësisë.
Ekspertët të marrin dhe të hapin telefonin e vajzës time. Ditën kur tërhoqëm nga morgut trupin, ka pasur shenja në nofull, trup, krah, gjithkund, e ka bërë sikur të ishte egërsirë. Kërkoj të dënohet sa më shumë…. Nofullën e ka me shenja, ndoshta dhe i ka dhënë me zor helmin. Nuk e dimë”, tha babai i saj.
Mes lotësh dhe dhimbjes që, sipas tyre, nuk do të shuhet kurrë, familja Nikollajt ka një apel të drejtpërdrejtë…
“Duam që ai djalë të kapet, Eraldo Fizi, të vuaj dënimin dhe të tregojë pse e ka rrahur motrën tonë”, tha motra e së ndjerës.
Një familje e shkatërruar, një vajzë që nuk është më dhe një thirrje që kërkon përgjigje… drejtësi për Xhuanën.
Top Channel