Dyshime për atentat nga Izraeli, Mojtaba Khameneit në gjendje të rëndë/ “New York Times”: Për liderin suprem po kujdeset presidenti iranian 

23/04/2026 17:36

“The New York Times” raportoi se udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është plagosur rëndë dhe po mbahet në izolim të fortë për shkak të frikës nga një atentat i mundshëm nga Izraeli, ndërsa trajtohet edhe nga presidenti iranian Masoud Pezeshkian.

Khamenei u plagos në një sulm më 28 shkurt, ku mbetën të vrarë babai i tij, Ali Khamenei, si dhe anëtarë të familjes së tij.

Ai ka pësuar dëmtime të rënda fizike, përfshirë ndërhyrje të shumta kirurgjikale në këmbë dhe dorë, ndërsa djegiet në fytyrë i kanë vështirësuar të folurin.

Burime iraniane bëjnë të ditur se lideri mbetet në gjendje të qëndrueshme mendore, por komunikon vetëm përmes deklaratave të shkruara.

Për arsye sigurie, nuk ka regjistruar asnjë mesazh publik, ndërsa komunikimi me të realizohet përmes një rrjeti të ndërlikuar korrierësh për të shmangur gjurmimin.

Raporti thekson se drejtimi i vendit është në duart e një grupi gjeneralësh të Gardës Revolucionare Islamike.

Në këtë situatë, ministri i jashtëm Abbas Araghchi është lënë në hije në negociatat me SHBA-të, ndërsa rolin kryesor e ka marrë kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf.

Sipas burimeve të “TheNew York Times”, Khamenei mbështetet fuqishëm tek gjeneralët dhe rrallë kundërshton vendimet e tyre, ndërsa ata e shohin konfliktin aktual me SHBA-në dhe Izraelin si një kërcënim ekzistencial për regjimin, megjithëse besojnë se situata është aktualisht nën kontroll.

Top Channel