Autoritetet serbe kanë arrestuar komandantin e Njësisë Speciale Kundër Terrorizmit (SAJ), Igor Žmirić, si dhe disa pjesëtarë aktualë dhe ish-pjesëtarë të strukturave policore, nën dyshimin për keqtrajtim dhe torturim të studentëve gjatë protestave kundër qeverisë në gusht të vitit 2025.

Sipas mediave serbe, hetimet lidhen me ngjarjet e natës mes 14 dhe 15 gushtit 2025, kur studentja Nikolina Sinđelić dhe disa protestues të tjerë dyshohet se janë dhunuar në garazhin e ndërtesës së Qeverisë së Serbisë në Beograd.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se, me urdhër të Prokurorisë së Parë Themelore në Beograd, është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë për nëntë persona, tetë prej të cilëve janë zyrtarë policorë dhe një qytetar që në kohën e ngjarjes ishte pjesë e policisë.

Në mesin e të arrestuarve është edhe komandanti i SAJ-it, Igor Žmirić, si dhe zëvendësi i tij, Goran Filipović.

Sipas njoftimit të autoriteteve, të dyshuarit akuzohen se kanë përdorur forcë dhe kërcënime ndaj disa personave, duke u shkaktuar dhimbje dhe vuajtje të rënda. Dyshohet se qëllimi ishte marrja e informacioneve, frikësimi dhe ndëshkimi i paligjshëm i personave të ndaluar.

Studentja Nikolina Sinđelić kishte denoncuar më herët dhunën e ushtruar ndaj saj, duke akuzuar zyrtarë të lartë të policisë, përfshirë Marko Kričak, për përdorim të tepruar të forcës dhe kërcënime me përdhunim gjatë arrestimit të saj në protestat në Beograd.

Ndërkohë, Kričak ndodhet në paraburgim, nën dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare, keqtrajtim dhe torturë. Në paraburgim për një muaj është dërguar edhe Boško Sekulović, drejtues i Shërbimit për Luftimin e Krimit, për të njëjtat dyshime.

Top Channel