Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica, ka treguar për “Top Story” se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosja nuk kanë më mbështetjen e Vjosa Osmanit në këto zgjedhje.
Në një lidhje “skype” me Grida Dumën në “Top Story”, ajo u shpreh se Lëvizja Demokratike e Kosovës është rikthyer në “bazë” dhe beson se do të arrijë një rezultat mjaft të mirë.
“Rezultatet e vitit 2021, nuk janë rezultate që dua t’i marrë parasysh si pikë reference të ngritjes tonë. Në vitin 2021 një pjesë e madhe e votave të asokohshme ishin vota për listën Vjosa dhe jo vota për listën Vetëvendosje. Ato ishin diku te 100 mijë vota. Kjo do të thotë që ata nuk e kanë më një person që në emër të përfaqësimit të diçkaje që nuk është Lëvizja Vetëvendosja mund të gjenerojë vota shtesë për ta. Për momentin Vjosa Osmani është presidente e vendit dhe nuk është pjesë e këtij procesi, por ajo që vlen të theksohet megjithatë është që LDK-ja ka arritur ta rikthejë votën e saj të humbur.
Arsyeja pse ka arritur ta rikthejë votën e saj të humbur ka të bëjë me faktin që ka reflektuar shumë. Dhe mbi këtë reflektim, i ka bërë të gjitha ato gjëra që i janë kërkuar nga elektorati i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Mendoj se është e rëndësishme që partitë duhet të shihet se si veprojnë edhe gjatë kohës që janë në opozitë, jo vetëm gjatë kohës që janë në pushtet. Në opozitë, LDK-ja është siguruar që t’i kthehet njerëzve, në terren, te njerëzit e saj. Flas për problemet, hallet, dhimbjet dhe hatërmbetjet, që t’i trajtojë ato.
As në vitin 2019, kur LDK-ja ka pasur një rezultat shumë të mirë, nuk i ka pasur strukturat e mobilizuara që ka sot. Strukturimi dhe organizimi nuk ka qenë as afërsisht me atë që është sot”, tha ndër të tjera Kica.
Top Channel