Egnatia ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me Alessandro Albanesen, duke e lidhur sulmuesin me klubin rrogozhinas deri në verën e vitit 2028.

Kampionët shqiptarë kanë vendosur të vazhdojnë bashkëpunimin me një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, i cili tashmë është kthyer në një titullar të rëndësishëm dhe një nga liderët e ekipit.

Për të prezantuar rinovimin, Egnatia ka përdorur një ide të veçantë, të frymëzuar nga Bajerni i Mynihut. Në videon e publikuar nga klubi, Albanese përshkruhet me një sërë epitetesh: “Ai është një artist. Ai është inspirues. Ai është magjistar. Ai është një gjeni. Ai është një nga ne”.

Albanese iu bashkua Egnatias në fundin e merkatos së verës së kaluar dhe që prej atëherë ka fituar një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në formacion.

Në 51 paraqitje me fanellën e Egnatias, ai ka realizuar 14 gola dhe ka dhënë 4 asistime.

Edhe starti i këtij sezoni ka qenë pozitiv për futbollistin. Në 10 ndeshje, Albanese ka kontribuar me 5 gola dhe 3 asistime, duke konfirmuar formën e mirë dhe rëndësinë që ka për skuadrën kampione.

Me rinovimin deri në vitin 2028, Egnatia siguron shërbimet e një prej pikave të saj kryesore për sezonet e ardhshme.

Top Channel