Ngërçi me pagat/ Administrativja pranon kërkesat për sigurimin e padisë, zhbllokohen pagat për GJKKO-në dhe Gjykatën e Durrësit

11/09/2026 12:50

Gjykata Administrative e Tiranës ka pranuar kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga Gjykata e Durrësit dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke urdhëruar zhbllokimin e fondeve për pagat.

Të njëjtën kërkesë e ka bërë edhe Gjykata e Lartë. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se edhe gjykatat e tjera në gjithë vendin po ndjekin të njëjtën rrugë ligjore, duke paraqitur padi dhe kërkesa të veçanta për sigurimin e tyre.

Kërkesat për sigurimin e padisë synojnë zgjidhjen e përkohshme të situatës, në mënyrë që punonjësit e gjykatave të marrin pagat, ndërsa çështja vijon të shqyrtohet në themel në Gjykatën Administrative.

Pranimi i sigurimit të padisë përbën një zgjidhje provizore, pasi nuk e mbyll konfliktin në themel. Masa synon të shmangë pasojat e menjëhershme të bllokimit të fondeve dhe të garantojë vijimin e pagesave deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për çështjen.

Në këtë mënyrë, të paktën për momentin, ngërçi financiar që preku gjykatat mund të kapërcehet përmes masave të përkohshme të marra nga gjykata.

Top Channel