Sipas SPAK, vila në Palasë, e sekuestruar në kuadër të hetimeve ndaj Belinda Ballukut, është në pronësinë faktike të ish-ministres, ndërsa Igli Tare është përdorur për fshehjen e saj përmes veprimeve që Prokuroria e Posaçme i konsideron fiktive.
Hetuesit kanë ngritur dyshime edhe për investimet dhe punimet në këtë pasuri, të cilat i lidhin me Arbër Abazin dhe me favorizimin e kompanisë së tij në procedurën e prokurimit për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës.
Përballë këtyre akuzave, avokati i Igli Tares, Bledar Dervishi, dha në “Shqipëria Live” versionin e mbrojtjes për pronësinë e vilës, marrëdhënien mes Tares dhe Abazit, si dhe për komunikimin me email drejtuar Ballukut, ku flitet për dhënien me qira dhe mobilimin e pasurisë.
Sipas Dervishit, Tare është bërë pronar i vilës më 26 nëntor 2020, ndërsa Abazi kishte kërkuar më pas ta blinte atë. Avokati pretendon se mes tyre kishte një dakordësi fillestare, por marrëveshja dështoi pasi palët nuk ranë dakord për çmimin.
Pjesë nga intervista e avokatit Bledar Dervishaj në “Shqipëria Live”:
Sidorela Gjoni: Për sa kohë kjo vilë i përket Tares, pse në e-mailin që i niset Ballukut thuhet ta japësh me qira dhe flitet për mobilimin.
Bledar Dervishaj: Ai e-mail ka një dërgues, është publik, pritësi do thuhet në vijimësi dhe do japi shpjegime. Igli është bërë pronar më 26, 11, 2020.
Për të ngritur një akuzë, duhet përtej dyshimit të arsyetueshëm. Bërja publike e një mase, përveç se dëmton publikisht një person, nuk sjell asgjë tjetër. SPAK-u nuk ka detyrim ligjor të bëjë vendime të kësaj natyre. Të gjitha dyshimet kalojnë mbi z. Igli Tare”, tha ndër të tjera Dervishi.
Ngjitur me të dy vilat që porositi Tare, ndodhet edhe një vilë e tretë. Abazi i ka kërkuar Tares ta blejë, ata janë dakordësuar, i ka thënë do të diskutojmë në vijimësi për detajet. Ka filluar punimet me këtë dakordësi dhe, kur u ulën në tryezë për marrëveshje, nuk është rënë dakord për çmimin e shitjes, e donte me një çmim që Igli e kishte nxjerrë. Këtu janë prishur dhe ka nisur një mosmarrëveshje e theksuar midis tyre. Këtu është përfshirë edhe investitori i veprës. Derisa, në fund, kompania zhvilluese ka vendosur t’ia dërgojë vilën Tares. Ato punime, siç thotë vëllai i Tares, ato punime që thuhen në e-mail nuk ekzistojnë në vilë.
Pronësinë e zotit Tare unë e kam të ligjshme. Kemi kontratë sipërmarrjeje, çdo gjë është në rregull, unë e kam provuar pronësinë. Asnjë e-mail nuk mund të bëhet provë për pronësinë. Pronësia tashmë është e konfirmuar.
Top Channel