FIFA i prish festën Marokut: Finalja e Botërorit 2030 nuk është vendosur Vila në “Green Coast” në Palasë është në qendër të akuzave të reja të SPAK-ut ndaj Belinda Ballukut.
Prokuroria e Posaçme dyshon se prona, megjithëse e lidhur në dokumentacion me emrin e Igli Tares, zotërohej faktikisht nga ish-zëvendëskryeministrja dhe ishte mbajtur e fshehur përmes tij.
Por versioni i Prokurorisë së Posaçme është kundërshtuar nga Genti Tare, vëllai i Igli Tares, i cili ndërhyri në një lidhje telefonike mbrëmjen e djeshme në emisionin “Top Story” në Top Channel.
Në qendër të çështjes qëndron jo vetëm pyetja se kush është pronari real i vilës, por edhe roli i biznesmenit Arbër Abazi .
Një nga pikat kyçe të njoftimit të SPAK-ut për vilën në Palasë lidhet me Arbër Abazin dhe dyshimet e Prokurorisë për rolin e tij në financimin e punimeve të pronës që pretendohet se i përkiste faktikisht Belinda Ballukut. Abazi është pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”, pjesë e bashkimit të operatorëve ekonomikë që fitoi tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës.
Sipas Genti Tares (vëllait të Igli Tares), ai është gjithashtu bashkëjetuesi i Lorelës, vajzës së tezes së Belinda Ballukut, si dhe pronar i vilës ngjitur me dy vilat e Igli Tares në Palasë.
SPAK pretendon se Balluku ka në pronësi faktike vilën familjare 2F nr.188/1, Nukli 27, në “Green Coast” dhe se Igli Tare është përdorur për të fshehur këtë pasuri të padeklaruar. Sipas SPAK-ut, kontrata e sipërmarrjes e lidhur më 26 tetor 2020, në shumën 250 mijë euro, mbulonte investimin për vilën vetëm deri në fazën e karabinasë.
Pikërisht konstatimet e SPAK-ut për mënyrën e blerjes dhe pronësinë faktike të vilës i kundërshtoi Genti Tare në “Top Story”. Ai deklaroi se Igli Tare e kishte negociuar vetë blerjen e vilave drejtpërdrejt me Samir Manen dhe se pagesat për pronën ishin kryer nga llogaria e vëllait të tij.
“Pagesat e vilës janë bërë nga llogaria e Igli Tares”, deklaroi ai, duke këmbëngulur se prona është blerë nga vëllai i tij në tetor të vitit 2020.
Një tjetër pikë kyçe e hetimit është ajo që ndodh me vilën pas fazës së karabinasë. SPAK pretendon se investimin për vijimin e punimeve e mori përsipër Arbër Abazi dhe se, sipas preventivit të administruar gjatë hetimit, vlera e tyre varionte nga 288,616 deri në 410,526 euro.
Prokuroria e lidh këtë investim me tenderin e Lotit 7. Sipas SPAK-ut, Balluku dyshohet se ka favorizuar në këtë procedurë bashkimin e operatorëve “Alko Impex General Construction” dhe “2T” dhe, në këmbim, ka marrë nga Abazi një përfitim të parregullt në formën e investimeve dhe punimeve në vilën e Palasës.
Por Genti Tare e paraqet ndryshe raportin mes Abazit dhe pronës. Ai konfirmon se Abazi ka kryer punime në vilë, por pretendon se biznesmeni, i cili kishte vilën ngjitur, pas rreth një viti e gjysmë punimesh kishte kërkuar t’ia blinte pronën Igli Tares.
Sipas Genti Tares, fillimisht kishte pasur vetëm një dakordësi në parim që Abazi ta blinte vilën, pa u përcaktuar çmimi dhe pa u lidhur një kontratë shitjeje. Ai tha se punimet kishin vijuar për rreth një vit e gjysmë “me fjalën e Igli Tares”, në kushtet e kësaj marrëveshjeje.
Sipas Genti Tares, në negociatat me Abazin është përfshirë edhe ai vetë dhe shitja nuk është realizuar pasi familja Tare nuk ka pranuar çmimin. Ai deklaroi gjithashtu se vila që është tashmë objekt i hetimit dhe sekuestrimit është ende e pabanueshme, ndërsa një tjetër vilë e Igli Tares, e shitur më parë, ishte e banueshme.
“Arbër Abazi aktualisht është pronar i vilës ngjitur me dy vilat e Igli Tares dhe në momentin që bleu vilën e tij, i kërkoi Igli Tares që të blejë edhe vilën që diskutohet. Ka rënë në parim dakord që do e blinte, pa vendosur çmim. Pas një viti e gjysmë, kush na njeh ne si familje, e di që me të gjitha gjërat merrem unë. Pas një viti e gjysmë, që janë bërë punime me fjalën e Igli Tares, ka kërkuar ta blejë me çmimin që e ka blerë. Këtu kam qenë unë që e kam kundërshtuar. Dhe i kam thënë që nëse do ta blesh, do e blesh me çmimin që do të vendos unë”, tha Genti Tare mbrëmë në Top Story.
Genti Tare tha se mosmarrëveshja përfundoi në korrik të vitit të kaluar, kur sipas tij, vendosi që vila të mos shitej.
“Unë e kam zgjidhur këtë sherr në vitin e kaluar në korrik, kur kam dalë dhe kam thënë që nuk e shes vilën.”
Ai solli edhe një episod të vitit 2023, kur, sipas tij, kishte shkuar për të marrë në dorëzim vilat nga “Balfin”. Genti Tare pretendoi se i ishte kërkuar të merrte vetëm njërën vilë, por ai kishte këmbëngulur për të dyja, pasi nuk ekzistonte një kontratë shitjeje me Arbër Abazin.
“Në 2023-shin, kur unë kam marrë në dorëzim vilën, nga ‘Balfin’ më është kërkuar të marr vetëm një vilë. Unë i kam thënë që do i marr të dyja, sepse unë nuk kam kontratë shitjeje me Arbër Abazin. Kur të bëj kontratën e shitjes, atëherë ai mund ta marrë në dorëzim.”
Genti Tare deklaroi gjithashtu se kishte paguar edhe kostot e lidhura me marrjen në dorëzim të pronës: “Tarifat e dorëzimit, çdo gjë e paguaj unë.”
Një nga argumentet që Genti Tare ngriti kundër versionit të SPAK lidhet me kronologjinë. Sipas tij, Igli Tare e bleu vilën në tetor 2020, ndërsa procedura e tenderit që Prokuroria lidh me investimin në pronë i përket vitit 2021. Ai iu referua edhe një email-i të shtatorit 2020 që është diskutuar në lidhje me hetimin, duke pretenduar se në atë periudhë prona nuk ishte ende as e Igli Tares dhe as e Belinda Ballukut.
Sipas Genti Tares, në atë periudhë prona ishte ende e “Mane TCI”: “Ju i referoheni email-it të shtatorit 2020. Nëse i referoheni shtatorit të 2020, as Igli Tare nuk ka pasur pronë, as Belinda Balluku nuk e kishte pronë. Igli Tare ka blerë vilën në tetor të 2020. Tenderi që bëhet fjalë është në 2021. Pse priti Belinda Balluku t’i japë tender Arbër Abazit pas një viti?”, u shpreh Genti Tare.
Gjatë intervistës që dha në Top Story Genti Tare tha: “ Ajo ka qenë pronë e Mane TCI” SPAK, ndërkohë, e çon më tej dyshimin për fshehjen e pronës. Sipas Prokurorisë, Igli Tare është përdorur edhe për krijimin e dokumentacionit të pronësisë dhe regjistrimin e vilës në emër të tij përmes një kontrate shitjeje të datës 12 shtator 2025, të cilën organi i akuzës e konsideron fiktive. “Për të fshehur përfitimin e krijuar si produkt i veprës penale të korrupsionit, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur sërish shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive të mëtejshme në lidhje me krijimin e dokumentacionit të pronësisë, për regjistrimin e kësaj prone në emër të shtetasit Igli Tare, sipas kontratës fiktive të shitjes, datë 12.09.2025.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.
Genti Tare kundërshtoi edhe mënyrën se si, sipas tij, janë pasqyruar faktet në vendimin e sekuestros. Ai pretendoi se në të nuk është përfshirë e gjithë historia e debatit për marrjen në dorëzim të vilave.
“Po të lexoni vendimin e sekuestros, ka një kirurgji faktesh të manipuluara, ku thuhet çdo gjë dhe nuk thuhet debati që unë kam bërë për marrjen në dorëzim të vilave”, deklaroi ai.
Genti Tare pranoi në “Top Story” se vëllai i tij dhe Belinda Balluku kanë pasur marrëdhënie të afërt, por kundërshtoi që kjo të provojë pretendimin e SPAK për fshehjen e pronës. Ai ngriti pyetjen se çfarë do të kishte përfituar Igli Tare duke vendosur emrin e tij në një pronë që, sipas Prokurorisë, i përkiste faktikisht Ballukut.
Ai dha edhe një detaj për kohën e kësaj njohjeje, duke deklaruar se Igli Tare e njeh Belinda Ballukun që prej vitit 1988 dhe se dy familjet kanë pasur marrëdhënie miqësore. Sipas tij, edhe kontakti fillestar me Arbër Abazin dhe Lorelën ishte bërë pa firmë, pikërisht në kushtet e këtyre raporteve personale.
“Kontakti me Arbër Abazin dhe me Lorelën, në fillim është bërë pa firmë, sepse Igli Belinda Ballukun e njeh që në 1988. Ne jemi miq familjarë. Ka qenë një marrëveshje gentleman-ësh.”
“Nëse vëllai im ka 1% faj, le të shkojë në burg”, tha Genti Tare, ndërsa pretendoi se në mënyrën se si janë interpretuar dëshmia e vëllait të tij dhe materialet e sekuestruara ka “manipulime”.
Top Channel