Qeveria franceze kalon pa votë buxhetin e kontestuar të kursimeve, rrezikon mocion mosbesimi (fotot)

02/12/2024 19:16
Michel Barnier

Kryeministri i Francës Michel Barnier përdori sot “fuqi ekzekutive” për të kaluar me forcë ligjin e buxhetit të mbështetjes sociale pa e votuar në parlament, duke ekspozuar qeverinë ndaj një mocioni mosbesimi nga opozita.

“Është në dorën tuaj tashmë … të vendosni nëse vendi duhet të ketë një ligj të përgjegjshëm financiar që ndihmon qytetarët francezë, ose të hyjnë ‘në territore të panjohura financiare’,” i tha Barnier deputetëve në sallë.

“Prandaj bazuar në nenin 49, paragrafi 3 i Kushtetutës, kërkoj përgjegjësinë e qeverisë për ligjin e Sigurisë Shoqërore 2025, sipas versionit të Komitetit të përbashkët, me amendamentet e prezantuara”, tha më tej kryeministri duke njoftuar kalimin pa votë të legjislacionit të shkurtimit të shpenzimeve publike.

Mediat thonin se me shumë gjasa qeveria franceze do të bjerë kësaj jave pasi partitë e majta dhe të djathta kanë depozituar mocionet e mosbesimit, pas aktit të kryeministrit që mund të sillte dorëheqjen e tij vetëm dy muaj pas emërimit.

Fronti i Ri Popullor (NFP), koalicioni i majtë ku përfshihen Socialistët, Të Gjelbrit dhe Partia Komuniste, kanë paralajmëruar mocionin nëse qeveria përdor klauzolën e kontestuar “49.3” të Kushtetutës për kalimin pa votë të ligjit të mbështetjes sociale.

Partia Mitingu Kombëtar, e Marine Le Pen gjithashtu ka shtuar presionin duke njoftuar për mocion mosbesimi ndaj qeverisë.

“Francezët nuk durojnë dot më. Ndoshta votuesit mendonin se do të bëhej më mirë me Barnier, por në fakt ato u bënë më keq,” tha Le Pen në parlament javës që shkoi, shkruan rrjeti AFP.

FOTO GALERI
2/3
Partia Mitingu Kombëtar, e Marine Le Pen gjithashtu ka shtuar presionin duke njoftuar për mocion mosbesimi ndaj qeverisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA