U lëndua në sy gjatë protestës, sekuestrohen pamjet e kamerave të sigurisë për Erjon Vishkullin/ Prokuroria e Tiranës nis hetime ndaj policisë
Shtëpia e Bardhë ka bërë publike listën vjetore të pagave të stafit të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, duke zbuluar shumat që përfitojnë këshilltarët e tij më të afërt dhe zyrtarët e tjerë të presidencës.
Sipas raportit të publikuar më 26 tetor 2026, lista përfshin 411 punonjës, ndërsa nëntë prej tyre përfitojnë pagën maksimale prej 197.200 dollarësh në vit.
Mes tyre janë shefja e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, këshilltari për sigurinë kombëtare, Stephen Miller, drejtori i komunikimit, Steven Cheung, si dhe sekretari i stafit, William Scharf.
Në kategorinë e pagave më të larta përfshihet edhe pozicioni i zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, i cili, sipas raportimit, është aktualisht vakant. Ndërkohë, punonjës të tjerë të administratës marrin paga më të ulëta. Natalie Harp, asistente në administratë, përfiton 150 mijë dollarë në vit.
Në fund të listës së pagave janë pozicione si stenografi, analist i menaxhimit të dokumenteve dhe specialist i shërbimeve të teknologjisë së informacionit, me paga vjetore prej 59.661 dollarësh.
Raporti evidenton gjithashtu dhjetë persona që figurojnë me pagë zero. Mes tyre është edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Sipas një zëdhënësi të Shtëpisë së Bardhë, këta persona nuk paguhen nga presidenca, pasi ose marrin pagë nga institucione të tjera qeveritare, ose shërbejnë si këshilltarë të posaçëm pa pagesë.
Sa është paga e Donald Trump?
Presidenti amerikan ka një pagë zyrtare prej 400 mijë dollarësh në vit. Sipas artikullit të Gazzetta-s, Trump vazhdon të dhurojë të gjithë pagën presidenciale, ndërsa të ardhurat e tij vijnë nga aktivitetet e biznesit.
Top Channel