Foto/ U plagos në sy gjatë protestës, reagon Erjon Vishkulli para operacionit në Itali: Zoti do të krijojë lehtësim pas vështirësive
Një video e publikuar në internet, ku ylli francez duket se e cilëson ish-udhëheqësin kinez si “diktator”, ka shkaktuar reagime të ashpra në Kinë. Kompanitë Dongpeng Beverage dhe Mengniu njoftuan ndërprerjen e menjëhershme të bashkëpunimit me futbollistin e Real Madridit.
Ylli francez i futbollit, Kylian Mbappé, ka humbur kontratat e sponsorizimit me dy kompani të mëdha kineze, pasi një video e shpërndarë në internet shkaktoi polemika për komentet e tij lidhur me ish-udhëheqësin e Kinës, Mao Ce Dun.
Kompania e pijeve Dongpeng Beverage dhe prodhuesi i produkteve të qumështit Mengniu njoftuan më 27 tetor ndërprerjen e bashkëpunimit me sulmuesin e Real Madridit dhe kapitenin e kombëtares franceze.
Vendimet erdhën pasi në internet qarkulloi një video ku Mbappé, duke folur për memet që i duken më argëtuese, përmend një imazh ku fytyra e tij është vendosur mbi trupin e një personazhi historik, të cilin e përshkruan si “një diktator kinez”. Komenti duket se i referohet Maos, një prej figurave më të rëndësishme dhe njëkohësisht më të debatueshme të historisë moderne kineze.
Sipas raportimit të The Guardian, autenticiteti i videos nuk ishte verifikuar menjëherë nga AFP Fact Check.
Dongpeng Beverage, një nga kompanitë e mëdha kineze të pijeve, deklaroi se kundërshton çdo sjellje që cenon ndjenjat kombëtare dhe se zbaton një politikë tolerance zero ndaj veprimeve të tilla.
“Me efekt të menjëhershëm, po ndërpresim të gjithë bashkëpunimin me Kylian Mbappé”, thuhej në deklaratën e kompanisë.
Edhe Mengniu, një nga prodhuesit më të mëdhenj të produkteve të qumështit në Kinë, njoftoi përfundimin e marrëdhënies me futbollistin.
Kompania deklaroi se kundërshton çdo fjalë apo veprim që lëndon ndjenjat e popullit kinez dhe se nuk toleron sjellje të tilla.
Mbappé kishte qenë një nga figurat e njohura të reklamave sportive në tregun kinez. Gjatë Kupës së Botës së këtij viti, reklamat e Dongpeng me imazhe të krijuara nga inteligjenca artificiale, ku futbollisti shfaqej duke konsumuar pije sportive, transmetoheshin rregullisht në Kinë.
Çështja shkaktoi reagime të shumta në rrjetin social kinez Weibo, ku lajmi për ndërprerjen e bashkëpunimit mes Dongpeng dhe Mbappé u rendit ndër temat më të diskutuara.
Disa përdorues i cilësuan komentet si të papranueshme dhe kërkuan që imazhi i futbollistit të hiqej nga produktet e kompanisë.
Portali sportiv kinez Dongqiudi deklaroi gjithashtu se komentet e Mbappé ishin fyese për Kinën dhe popullin kinez, duke pretenduar se kishin lënduar ndjenjat e tifozëve të futbollit.
Në Kinë, komentet që lidhen me Mao Ce Dunin janë veçanërisht të ndjeshme. Mao, i cili vdiq në vitin 1976, ishte udhëheqësi themelues i Republikës Popullore të Kinës dhe mbetet një figurë me peshë të madhe historike e politike në vend.
Polemika e fundit vjen gjithashtu një ditë pasi Mbappé humbi garën për Topin e Artë përballë anglezit Harry Kane.
Top Channel