Dëbimi i emigrantëve nga Europa, BE i jep Frontex-it kompetenca të reja, shqetësohen OJQ-të

27/10/2026 19:02

Bashkimi Europian po përgatit një reformë e cila synon zgjerimin e kompetencave të agjencisë kufitare Frontex, duke i mundësuar asaj të ndihmojë në deportimin e migrantëve të parregullt edhe nga një shtet jashtë BE-së në një tjetër.

Sipas Euronews, Komisioni Europian pritet ta prezantojë paketën e re të reformave të martën. Ndryshimet do t’i lejonin Frontex-it të bashkëpunojë me autoritetet e vendeve jashtë unionit, përfshirë shtetet e Afrikës së Veriut, për kthimin e emigrantëve në vendet e tyre të origjinës.

Agjencia do të mund të marrë pjesë edhe në dëbimet nga qendrat e kthimit që vendet e BE-së planifikojnë të krijojnë në shtete të treta. Pesë qeveri evropiane po negociojnë krijimin e qendrës së parë, e cila pritet të nisë funksionimin në vitin 2027.

Propozimi ka ngritur shqetësime te organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat kërkojnë mbikëqyrje dhe llogaridhënie më të fortë për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të migrantëve. Për bashkëpunimin me vendet jashtë BE-së do të nevojiten marrëveshje të posaçme.

Frontex-i tashmë ka marrëveshje të tilla me Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa BE-ja po negocion një marrëveshje me Senegalin. Reforma parashikon gjithashtu krijimin e një force të reagimit të shpejtë për situatat me mbërritje masive të klandestinëve, si dhe një njësie për monitorimin e rrjeteve sociale.

Në kuadër të buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar, Frontex-i pritet të përfitojë 12 miliardë euro, dyfishi i financimit të mëparshëm, për të forcuar kapacitetet e kontrollit kufitar dhe zbatimin e politikave të kthimit të migrantëve.

Top Channel