“Ekonomia do të rritet 3.4%”/ Raporti i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimorë, çfarë thotë për Shqipërinë
Teksa pritet prezantimi i buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2027, zbardhja e projektligjeve të përgatitura nga Ministria e Financave nxjerr në pah ndryshime në disa prej taksave kryesore, që prekin konsumatorët, bizneset dhe të punësuarit.
Nga ulja e TVSH-së për ushqimet bazë, te rritja e pragut të patatueshëm për pagat dhe zgjerimi i numrit të bizneseve që do të hyjnë në skemën e TVSH-së këto janë ndërhyrjet e propozuara për vitin e ardhshëm.
Ndryshimi i parë lidhet me TVSH-në për produktet ushqimore. Pas vitesh debatesh, qeveria propozon uljen e normës nga 20% në 6% për një listë produktesh bazë, ku përfshihen buka dhe mielli, qumështi dhe kosi natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi, peshku bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet bazë për foshnja. Lista e detajuar e produkteve do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në të njëjtin nen parashikohet edhe rritja e TVSH-së për sektorin e akomodimit. Norma për hotelet me pesë yje, agroturizmin dhe shërbimet e akomodimit në strukturat turistike propozohet të rritet nga 6% në 10%. Ndërkohë norma e përgjithshme e TVSH-së parashikohet të shkojë në 21% nga 20% që është aktualisht.
Një tjetër ndryshim prek bizneset. Pragu minimal për regjistrimin në skemën e TVSH-së propozohet të ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor, ose nga rreth 100 mijë në 50 mijë euro. Sipas relacionit ky ndryshim pritet të përfshijë rreth 17 mijë e 516 tatimpagues të rinj, të cilët do të duhet të zbatojnë rregullat e TVSH-së.
Ndërhyrje parashikohen edhe te tatimi mbi pagat. Për pagat bruto mbi 200 mijë lekë në muaj, pragu nga i cili zbatohet norma 23% propozohet të rritet në 300 mijë lekë. Kjo normë do të aplikohet për pagat nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë ndërsa për të ardhurat mbi 700 mijë lekë në muaj propozohet për herë të parë një normë e re prej 32%.
Paketa parashikon gjithashtu ashpërsimin e mekanizmave për mbledhjen e detyrimeve tatimore, zgjerimin e zbatimit të gjobave për transaksionet me para në dorë dhe rritjen graduale të akcizës së duhanit deri në vitin 2033. Nga ana tjetër, bizneset pritet të lehtësohen nga detyrimi për dorëzimin e dyfishtë të pasqyrave financiare, ndërsa regjimi i veçantë i TVSH-së për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX, propozohet të zgjatet deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Top Channel