Në Forumin e Biznesit “E ardhmja e ekonomisë”, organizuar nga revista “Monitor” në kuadër të publikimit të renditjes së 200 kompanive më të mëdha në Shqipëri për vitin 2025, përfaqësues të institucioneve financiare dhe të biznesit evidentuan nevojën për një model zhvillimi më të orientuar drejt prodhimit, eksporteve dhe konkurrueshmërisë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi se ekonomia në vend ka shënuar rritje, por duhet të kemi rritje të qëndrueshme afatgjatë dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
“Ekonomia ka shënuar rritje rreth 4%, inflacioni është mbajtur rreth objektivit prej 3%, ndërsa borxhi publik ka ndjekur një trajektore rënëse. Sipas tij, të ardhurat për frymë, në raport me mesataren e Bashkimit Europian, janë rritur nga rreth 23% në 43%“, tha Sejko.
Të dhënat e renditjes Top 200 tregojnë peshën e kompanive më të mëdha në ekonomi.
“200 kompanitë më të mëdha realizuan në vitin 2025 rreth 1.5 trilionë lekë qarkullim dhe 170 miliardë lekë fitime”, u shpreh Evis Karandreas, drejtore ekzekutive e Union Grup.
Kryeredaktorja e revistës “Monitor” përmendi faktorët që kanë ndikuar në rritjen ekonomike në vend, por theksoi se ekonomia shqiptare ka rritjen më të ulët në rajon.
“Shqipëria ka një rast unik që administrata publike ka ndikimin më të madh në rritjen ekonomike. Tregtia dhe shërbimet. Te tregtia dhe shërbimet, gjysma është nga aktiviteti i pasurive të paluajtshme. Shërbimi, industria dhe bujqësia shohim që janë në rënie. Do të shohim rolin e madh që ka marrë ndërtimi.
Në vitet e fundit ka pasur një rol të madh dhe administrata publike përmes garës së qeverisë shqiptare për të kapur pagat në Ballkan që gjithsesi duhet ta themi nuk e ka kapur akoma sepse Ballkani eci ose më shpejt ose njëlloj me neve. Një zhvillim pozitiv ka qenë rritja e turizmit që është më shqetësuese është cikli i ndërtimit. Ndërtimi duket që ka pësuar një rënie pavarësisht se ka luhate nga viti në vit”, tha Ornela Liperi.
Përfaqësues të biznesit kërkojnë një model të qartë ekonomik me rritje të qëndrueshme.
Top Channel