Zgjedhjet e atletikës, reagon Izmir Smajlaj: Kolaps i madh, e mirëkuptoj Luiza Gegën!

27/11/2024 15:50

Një ditë pas intervistës së Luiza Gegës në Top Channel, është Izmir Smajlaj, kandidati për president të Federatës Shqiptare të Atletikës, ai që tregon më tepër rreth kësaj situate të pazakontë në prag të zgjedhjeve të FSHA-së, ku pavarësisht të gjithave në pamje të parë duket se ka sjellë një krisje të marrëdhënieve midis dy kolegëve të një dekade që mbajtën lart emrin e atletikës shqiptare.

“Atletika është në një kolaps shumë të madh që duhet zgjidhur patjetër. Duke marr shkas edhe nga postimet e koleges sime Luiza Gega, dua të them se unë e mirëkuptoj atë, edhe gjendjen e saj emocionale dhe nuk dua të përfshihem në një debat televiziv me të. Ajo për mua është një sportiste e madhe dhe një mike që do ta kem përjetë”, u shpreh atleti.

Megjithatë pavarësisht miqësisë publike, në privatësinë e tyre gjërat nuk janë edhe aq miqësore. Luiza Gega i ka shkruar një mesazh Izmirit për të cilin nuk ka marrë një përgjigje, për të cilin Smajlaj shpjegon arsyet.

“Eshtë e vërtetë që kam marrë një mesazh prej saj përpara 4-5 ditësh, por ishte një mesazh plot fyerje dhe plot shpifje dhe nuk doja t’i jepja përgjigje. Mendoj që Luiza Gega nuk e ka tagrin dhe as kompetencën që të flasë për këtë çështje”, tha Smajlaj.

Vetëm 31-vjeç Izmir Smajlaj, kampion Europe në kërcim së gjatë disa herë kampion ballkani dhe shumë arritje dhe rekorde kombëtare, vendosi të largohet nga sporti aktiv për të marrë përsipër këtë hap të madh në jetën e tij, si gara për drejtimin e federatës së mbretëreshës së sporteve, atletikës.

“Eshtë një sfidë shumë e madhe për mua, kam marrë shkas nga mbështetja e familjes, për shkak se i plotësoj të gjitha kriteret. Jam i pari në atletikën shqiptare që i kam sjell vendit një medalje të artë dhe duke parë dëmtimet e shpeshta që më ndodhën gjatë karrierës sime si sportist dhe që nuk isha më në nivelin e duhur, mendova ta mbyll sportin me dinjitet”, tha ai.

Megjithatë në këtë garë ai do të jetë I vetëm, të paktën për momentin dhe zyrtarisht, pasi Taulant Stëmasi është përjashtuar nga gara nga komisioni që do të drejtojë asamblenë zgjedhore të FSHA-së, pasi emri I tij nuk është porpozuar nga asnjë prej shoqatave që janë krijuar rishtazi në 30 ditët e fundit.

“Pardje e kam marrë vesh edhe unë që Taulant Stërmasi është përjashtuar, normalisht nuk më vjen mirë, por është një komision një bord ekzekutiv që i ka të gjithë kompetencat. Asambleja zgjedhore është lënë më datë katër, unë di të them që jam kandidat dhe skam asnjë lloj kompetencë tjetër. Mund të them që ligji është mbi individin dhe ligji zbatohet dhe nuk mund ta deformojmë ligjin as unë, as Luiza, as Gjergj Ruli dhe as Taulant Stërmasi”, tha ai më tej.

Praktikisht do të jeni vetëm ju kandidat?

“Po kështu ndodhi…“, u përgjigj ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA