Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, kanë dëshmuar kundër njëri-tjetrit në SPAK, sipas analistit Arjan Curi.
Në “Top Story”, Curi u shpreh se kërkesa për divorc vjen si nevojë e të dyve për të lehtësuar veten.
“Ka një tjetër histori, që këta e kanë seriozisht me njëri-tjetrin. Kaq e thellë ka qenë tradhtia në marrëdhëniet me SPAK. Mund të kthehet njëri kundër tjetrit. Mund të jetë e vërtetë që Kryemadhi ka folur kundër Metës brenda SPAK. Njerëzit thonë që njerëzit që janë afër me Kryemadhin kur thirren në SPAK dëshmojnë kundër Metës dhe anasjelltas. E bëjnë për të lehtësuar veten. LSI ka pasur pushtet në këtë vend. Berisha i dha disa ministri, ku ata vepronin lirshëm dhe me paratë bënin ç’të donin”.
Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, u shpreh se “shumë shpejt Meta dhe Kryemadhi do të jenë nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.
“Është real ky konflikt mes tyre. Po ia hedhin njëri-tjetrit fajin. Edhe për SPAK-un është interesant shkaku i divorcit. Pse duhet të kulmonte në një moment kur janë në këtë pikë me SPAK-un. Shumë shpejt këta do të jenë përballë një akuze”.
Ndërsa gazetarja Aida Topalli pretendoi se çifti nuk jeton më bashkë.
“Edhe nga informacionet që unë kam, nuk takohen më me njëri-tjetrin. Di që nuk jetojnë më në një shtëpi. Kjo ndarje mund t’i bëjë që të humbasin përballë njëri-tjetrit dhe SPAK-u të fitojë”.
Top Channel