Politika e jashtme është fusha e vetme ku kryeministri Edi Rama ka spikatur këtë vit, sipas analistit Arjan Zheji
Në një analizë për ngjarjet dhe personazhet e vitit 2023 në “Top Story”, Zheji vlerësoi punën e kryeministrit në diplomaci, teksa këtë vit në Tiranë u mbajtën dy samite të rëndësishme.
“Mendoj që ajo gjë që ka spikatur te Rama në 2023 është politika e jashtme. Me politikën e jashtme, ka qenë dy herë presidenti i Francës në Shqipëri, ka qenë kryeministrja italiane po ashtu, ka qenë kancelari gjerman. Pra, Shqipëria në një moment të caktuar ka qenë kryeqyteti që është vizituar nga kancelarë, kryeministra dhe presidentë të vendeve shumë serioze, të vendeve që drejtojnë i japin kuptim Evropës”.
Rama do të ishte ministri i duhur i Jashtëm në një qeveri ideale, u shpreh analisti.
“Këtu Rama ka luajtur, është një nga gjërat që unë mendoj që nëse do i vendosja një vlerësim, Rama është një ministër i jashtëm që do të donim të kishim në një qeveri ideale. Është e kotë të themi gjëra të tjera, nuk e di të ketë bërë ndonjë çudi tjetër. Fitoi zgjedhjet e 14 majit, por atë e prisnim. Nuk prisnim dy samitet që u mbajtën këtë vit në Shqipëri”.
Ndryshe nga mazhoranca, opozita ka bërë të kundërtën duke qëndruar e izoluar sipas analistit.
“Kjo ka krijuar një kontrast të madh me izolimin ndërkombëtar të opozitës. Është e tmerrshme”, tha ai.
Nga ana tjetër, tha Zheji, kryeministri është maratonomaku që ecën me hapa të ngadaltë me qëllimin për të qëndruar gjatë në pushtet.
“E shoh Ramën si një sportist që e ka kuptuar që gara është shumë e gjatë dhe ka nevojë për maratonë. Një maratonist ecën me një hap më të ngadaltë dhe bën gjëra që të duken si reforma, sikurse është podcast-i, këto janë aftësi që ai i ka, flet, dëgjon. Flet më shumë se sa dëgjon, por ç’rëndësi ka”.
Top Channel