Të blesh shtëpinë e parë, pa pasur nevojë për një parapagim dhe me kredi të lehtësuar nga shteti është mundësia që programi i ri i strehimit synon t’u japë mijëra të rinjve.
Për Top Channel drejtoresha e strehimit Social, Dardana Grabova shpjegon kriteret për përfituesit dhe si do të bëhet përzgjedhja.
“Aplikimin për këto kuota do ta kenë padyshim në vend të parë familjet e reja, të rinjtë, pasi në fokus është ndërtimi dhe krijimi i familjeve. Por kategoria e 4,000 kredive është ndarë në dy kategori të ndryshme, ku janë 2,000 kuota për kredi me 0% dhe 2,000 kuota me interes 3%. Që do të thotë që ajo çfarë është me 0% është deri në masën 60,000 euro apo 6 milionë lekë të reja, dhe mbi 6 milionë lekë të reja kalon me interes 3%”, tha drejtoresha e strehimit social, Dardana Grabova.
Por në kushtet e çmimeve aktuale të banesave, sa realiste është të gjesh një apartament të përshtatshëm brenda këtij kufiri, sidomos në Tiranë?
“Në fakt e kam e kam vënë re edhe në disa mediat sociale të cilat dedikojnë dhe thonë faktin që ku do të gjesh ti me 60,000 euro një banesë, pasi çmimet sot janë rritur. Në fakt, ne nuk e kemi kufizuar një familje të re apo një të ri të gjejë një banesë vetëm në atë vlerë. Jo, e nëse ti e gjen atë edhe në 8 milionë, 9 milionë, 10 milionë lekë të reja, automatikisht ti do të jesh përfitues, por do të kesh masën e interesit 3%, pra jo zero. Nëse ne shikojmë jashtë unazës, padyshim që ka apartamente, qofshin ato studio, garsoniere, mansardë në gjuhën teknike, janë apartamente të cilat apo dhe private qofshin ato, ka plot banesa të cilat janë të raportuara që mund të gjesh. Pra ne nuk kemi kufizuar në mundësinë e gjetjes së banesës. Çdo familje e re dhe i ri ka të drejtën që të gjejë shtëpinë aty ku e gjen të përshtatshme, ama diferenca ndërmjet njërës dhe tjetrës do të jetë masa e interesit, nga zero në 3”, tha Grabova.
Të rinjtë nuk do të kenë nevojë për parapagim teksa shteti do të marrë përsipër edhe garancinë që kërkohet nga banka. Përballë një numri aplikimesh që pritet të jetë më i lartë se kuotat, do të funksionojë sistemi i pikëzimit, ku rëndësi do të ketë gjendja familjare, mungesa e banesës dhe përbërja e familjes.
“Pa dyshim që sistemi i pikëzimit do të jetë shumë i zgjeruar, familjet e reja mund të jenë familje të reja me një fëmijë, me dy fëmijë, me tre fëmijë, një nga kategoritë prioritare është ata që nuk kanë banesë. Pra do jenë një tërësi kategorish të cilat do bëjnë të mundur… arritjen te 4000 kuotat e vendosura vetëm për vitin 2027”, u shpreh drejtoresha.
Përfituesit duhet të jenë të regjistruar në bashkinë ku do të marrin kuotën ndërsa programi nuk synon blerjen e një banese të dytë, por banesën e parë ose një shtëpi që nuk plotëson normat e strehimit.
Krahas kredisë 3 mijë familje do të mund të përfitojnë edhe subvencionim të qirasë, me shtetin që mbulon 50% të kontratës ndërsa për studentët dhe të rinjtë parashikohet një tjetër mundësi përmes platformës së re.
“Do të krijojmë një platformë e cila do të bëjë të mundur regjistrimin e atyre qytetarëve të cilët disponojnë banesa në pronësi… këto të merren nga individët si studentët, të rinjtë, familjet e reja dhe të pajisen me bonusin e qirasë 50% të vlerës”, përfundoi drejtoresha.
Programi parashikohet të nis në vitin 2027.
Top Channel