I akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, Gjykata Supreme e Brazilit pranon ekstradimin e Ervin Matës drejt Shqipërisë

15/09/2026 23:48

Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka pranuar kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e shtetasit shqiptar Ervin Mata, i kërkuar nga autoritetet shqiptare për t’iu nënshtruar procesit penal për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Sipas vendimit, kërkesa për ekstradim e paraqitur nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë ishte e shoqëruar me dokumentet e nevojshme dhe plotësonte kërkesat e përcaktuara nga Ligji brazilian i Migracionit, si dhe parimin e reciprocitetit për raste të ngjashme.

Gjykata braziliane ka konstatuar se veprat penale për të cilat kërkohet ekstradimi i Matës përputhen edhe me veprat penale të parashikuara në legjislacionin brazilian. Po ashtu, sipas vendimit, afati i parashkrimit të ndjekjes penale nuk ka përfunduar.

Në vendim sqarohet se Gjykata Supreme Federale nuk shqyrton në këtë procedurë nëse Mata është apo jo autor i veprave për të cilat akuzohet. Ekstradimi është pranuar në bazë të përmbushjes së kushteve ligjore, ndërsa përgjegjësia penale do të shqyrtohet në procesin përkatës.

Vendimi është dhënë në datën 14 shtator 2026.

 

Top Channel