Familja Pjetra nga Tirana, po bën përgatitjet e fundit me rastin e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Ne kemi privilegjin të bëhemi pjesë e kësaj atmosfere në këtë shtëpi të mbushur me fëmijë dhe energji pozitive e gëzim shpirtëror.

“Festat janë të duam njëri-tjetrin. Nuk është festa për t’u merakosur se çfarë do të blejmë, çfarë do të hamë e çfarë do të veshim. Krishtlindja është një festë shpirtërore kryesisht. Të jem e sinqertë, për çdo ditë them: O Zot faleminderit!, që më ke bekuar me djalin, me vajzën, me nusen e mrekullueshme, me këta zogjtë që më rrethojnë, 2 nipërit dhe mbesa e vetme. Këta janë gjëja më e bukur që Zoti na ka dhuruar. Unë i mbaj mend mirë Krishtlindjet në fëmijërinë time. Ne ishim shumë fëmijë, ishim 10 vëllezër dhe motra. Këndonim këngë si: Ja na erdhi Viti Ri, sa jam i gëzuar….

Mbaj mend gjyshen që bënte ndonjë gatim, thoshte lutje dhe rituale, por atëherë nuk festoheshin kështu si sot. Atëherë ishte skamje e madhe, nuk kishte asgjë.

Sot njerëzit janë bosh komplet, sepse iu mungon gjëja më kryesore, dashuria me njëri-tjetrin. Gjëra ka plot, por shpirtrat janë të zbrazur.

Darka e Krishtlindjes në familjen tonë është plot gëzim. Para se të ulemi për të ngrënë, ne të gjithë kapemi për dore, ndezim një qiri, dhe themi lutjen: Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt, si në qiell ashtu edhe në tokë. Bukën tonë të përditshme falna sot! Natën e festës hamë darkë të gjithë bashkë dhe ashtu të gjithë siç jemi, i madh e i vogël shkojmë në kishë dhe shohim meshën. Dhuratat i hapim natën e Krishtlindjes. Unë dhuroj libra, veshje, gjëra simbolike, jo madhore. 2023 ishte një vit i bekuar për ne, pasi na erdhi në jetë ky engjëll, djali më i vogël i shtëpisë, nipi im Mikaeli. Nuk mund të merrnim dhuratë më të bukur, se ky fëmijë. Në jetë asnjë gjë nuk dua më shumë përveç një familje të mbledhur dhe të rregullt. Kur ke një familje të tillë, ke gjithë botën”, shprehet Rozina Pjetra.

“Të falem Mari, hirplotë e Zoti me ty, e bekuar je mbi të gjitha gratë, i bekuar fryti i barkut tend, Jezus”, e gjithë familja thonë lutjen bashkë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA