Zjarret në vend/ Shtatë vatra aktive, flakët vijojnë në Dajt, ndërhyjnë 400 forca dhe ushtria
Leja për të përdorur chatgpt lirisht në shkolla nga mësuesit e nxënësit, që nga hartimi i provimeve, korrigjimi i gabimeve apo ndihma për detyrat e projektet, sipas arsimtarëve e gjen sistemin arsimor parauniversitar të papërgatitur plotësisht.
“Sfida kryesore mbetet infrastruktura. Që të përdoret inteligjenca artificiale brenda ambienteve të shkollës me efektivitet duhet që çdo mësues dhe nxënës të ketë tablet. Të ketë investime në teknologji dhe trajnime”, tha Alma Lama, kryetare e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shqiptar.
“Ne bëmë në maj në universitete një trajnim për ndryshimin e kurrikulës, por mendoj se duhet një trajnim më i thelluar që nxënësi të mos tejkalojë aftësitë digjitale të mësuesve”, shpreh Ana Llazo.
Mësueset tregojnë se në shkolla është përdorur edhe më herët inteligjenca artificiale, ndonëse pa ‘leje’, por ligjërimi nga Ministria e Arsimit pa infrastruktën mbështetëse rrezikon në vlerësimin e ekspertëve të “robotizojë” sistemin.
“Nxënësit do të dembelosen. Do i marrin gjërat e gatshme. Duhet të përdoret me kriteret e duhura për të qenë si mjet plotësues”, u shpreh një mësuese.
Në një kohë kur teknologjia është në zhvillim, mësueset argumentojnë se udhëzuesi i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar është orientues, por edhe mund të keqpërdoret pa kontrollin e prindërve dhe pa rritur buxhetin e arsimit.
Top Channel