Dikur shpëtonte jetë, sot pret ndihmë/ Në lot për jetën e vëllait infermier, Elena kërkon ndihmë për transplantin e mëlçisë

24/11/2026 12:55

Për vite me radhë ka qenë në anën tjetër të shtratit të spitalit, duke u shërbyer pacientëve dhe duke u kujdesur për jetën e tyre.

Sot, 39-vjeçari Rigest Saka është vetë pacient dhe ka nevojë për ndihmën e të gjithëve. Që prej muajit korrik, ai po përballet me një sëmundje të rëndë të mëlçisë, që kërkon trajtim të specializuar jashtë vendit dhe vlerësim për transplant.

Infermieri i Spitalit të Tepelenës, i cili për vite me radhë iu përkushtua profesionit të tij, sot ka përpara një betejë që nuk mund ta përballojë i vetëm. Është motra e tij, Elena, e cila mes lotësh dhe emocionesh i drejtohet shqiptarëve përmes Top Channel, duke kërkuar një dorë ndihme për të vëllanë. Shpenzimet e trajtimit janë përtej mundësive të familjes dhe çdo kontribut mund të jetë vendimtar për t’i dhënë Rigestit mundësinë të marrë kurimin e nevojshëm.

Por mbi të gjitha, Rigesti është baba. Një vajzë e vogël e pret dhe ka nevojë për të atin pranë.Sot, familja e tij kerkon solidaritet. Kërkon që kjo thirrje të dëgjohet, të shpërndahet dhe të kthehet në ndihmë konkrete. Sepse ndonjëherë, për të ndryshuar fatin e një njeriu, nuk duhet një hero, por mijëra njerëz që zgjasin dorën.

Rigesti ka kaluar vite duke u kujdesur për jetën e të tjerëve. Sot, le të mos e lëmë vetëm në betejën e tij. Një kontribut nga secili prej nesh mund të bëhet shpresa që ai dhe familja e tij po presin.

Top Channel